Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar kujtimin e Dr. Adem Ademit, i cili u përcoll për herë të fundit më 28 nëntor në Mitrovicë.
Përmes një postimi, Osmani ka kujtuar jetën dhe veprën e mjekut, duke theksuar kontributin e tij të çmuar në shërbim të qytetarëve, humanizmit dhe çështjes kombëtare.
Ajo ka bërë të ditur se së bashku me Ukën, Shkëmbin, Xhaferin dhe përfaqësues të LDK-së në Mitrovicë, kanë nderuar figurën e Dr. Ademit, i cili gjatë jetës së tij u shërbeu mijëra njerëzve.
Osmani rikujtoi se Ademi ishte pranë studentëve të helmuar gjatë viteve të ’90-ta, si dhe pranë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ofruar ndihmën e tij mjekësore në ditët më të vështira.
Sipas saj, kontributi i tij në përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në rrugën e udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova, do të mbetet pjesë e historisë dhe kujtesës kolektive të vendit.
“Njerëzit që jetojnë për të tjerët nuk harrohen kurrë”, ka shkruar Osmani, duke përmbyllur mesazhin e saj me fjalët: “U prehsh në paqe, Dr. Adem Ademi!”.


