“Në qershor të vitit ’99 muret e tiranisë u shembën, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë por edhe të pavarur e demokratike. Atë ditë afër 38 mijë ushtarë nga 36 vende komunikuan me gjuhën universale të lirisë”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës që shënon 25-vjetorin e çlirimit të vendit.
“Ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishte harruar për popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë. Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja Osmani e ka cilësuar NATO-n si dritë shprese dhe shans për drejtësi e liri.
“Kur paqeruajtësit e KFOR-it shkelën në tokën e Kosovës të përgjakur, të dërrmuar e të shkatërruar, atëherë lotët, britmat e lulet u shndërruan në përqafime që i pritën ushtarët e NATO-s. Ato krijuan simfoninë e emocioneve të lirisë. Kolonat e makinerisë ushtarake, zhurma e helikopterëve të NATO-s, uniformat me flamuj të shumtë që simbolizonin lirinë e jo urrejtjen e dhunën, të gjitha këto u shndërruan në simbol të shpëtimit të popullit të Kosovës nga shfarosja që synonte regjimi gjenocidal i Serbisë”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka kujtuar kontributin e presidentit Ibrahim Rugova për liri e pavarësi bashkë me aleancat që u ndërtuan për shtetin.
“Do ta kujtojmë çdo ditë të jetës sonë, por edhe për brezat që vijnë pas nesh, heroizmin e papërsëritshëm të komandantit Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari, të cilat u shndërruan në gurthemelin e lirisë që gëzojmë sot. Do të jetojmë përherë me kujtimin e të gjithë dëshmorët e UÇK-së, mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, ka thënë ajo.
Osmani ka bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke thënë se kjo është diçka që vendi e meriton.