Lajme

Osmani: Mirënjohje pafund për mbështetjen e Sllovenisë

07/04/2022 19:11
nga:G B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidenti slloven, Borut Pahor.

“Në takimin tête-à-tête me presidentin Pahor dhe në takimet me delegacionet, Presidentja Osmani ka potencuar se marrëdhëniet e afërta ndërmjet popujve të Kosovës dhe Sllovenisë, datojnë që nga vitet e para luftës dhe janë zhvilluar hovshëm në vitet që pasuan”, njofton zyra për informim e Presidencës.

Sipas presidentes Osmani, raportet ndërshtetërore me Slloveninë do të thellohen dhe intensifikohen vazhdimisht në të ardhmen.

“Kosova dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për paqe e prosperitet në rajon bazuar në vlerat euro-atlantike. Anëtarësimi në BE dhe NATO janë garanca kryesore për paqe në rajonin tonë. Mirënjohës pafund për mbështetjen e Sllovenisë për të ardhmen tonë evropiane, përfshirë për përkrahjen për liberalizimin e vizave si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar Presidentja Osmani, në takime me homologun Pahor.

Sipas presidentes Osmani, ekziston gatishmëria e dyanshme që të punohet për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën ekonomike, atë të mbrojtjes e në diplomaci, si dhe në shumë fusha të tjera.