Lajme

Osmani: Masakra e Reçakut një nga më të tmerrshmet, regjimi i Millosheviqit kishte synim shfarosjen e shqiptarëve!

01/15/2022 11:50
nga:Y I

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë që u mbajt sot për 23 vjetorin e Masakrës së Reçakut në Shtime, tha se kjo masakër ishte pasqyrim i qëllimit shfarosës të regjimit të Millosheviqit, i cili këtë gjenocid e kryente në sy të të gjithë botës.

“Regjimi i Millosheviqit, kishte për qëllim shfarosjen e shqiptarëve dhe e bënte në sy të të gjithë botës”, ka thënë Osmani gjatë ceremonisë përkujtimore.

Osmani tha Reçaku është njëra ndër masakrat më të tmerrshme ku ka ndodhur krimi dhe sipas Osmanit propaganda nuk mund t’i fshehë faktet historike që ndodhën në sy të botës.

“Propaganda asnjëherë nuk mund t’i fshehë faktet historike që kanë ndodhur në sy të gjithë botës… Historia e dokumentuar nuk mund të ndryshohet, ndaj një krimi të tillë propaganduesit duhet të ndiejnë keqardhje dhe të dënohen”, ka thënë Osmani.

Ajo tha se Reçaku është fillimi i fundit të regjimit serb në Kosovë, pasi kjo masakër bëri që të ndërhyjë NATO-ja.

“Kjo masakër shënoi kthesën më të madhe… Pamjet nga Reçaku prekën jo vetëm njerëzit e zakonshëm por edhe diplomatët, ku dy muaj më vonë NATO-ja dëboi regjimin serb nga Kosova”, ka shtuar ajo.