Lajme

Osmani: Kosova në krahë me ShBA-në, çdo përpjekje e Serbisë për sulm do të dështojë

03/13/2024 12:15
nga:G C

Presidentja, Vjosa Osmani pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë Kosova do të punojë krahë për krahë me aleatët, në veçanti me ShBA-të, që kufiri të jetë i sigurt dhe të parandalohen sulme si ai në Basnjkë.

Osmani tha se me SHBA-të në krahë, çdo përpjekje e Serbisë do të dështojë, ashtu siç ka dështuar edhe me 24 shtator në Banjskë.

Tutje, Osmani tha se pjesëtarët e grupit terrorist duhet që të ekstradohen në Kosovë dhe të gjykohen.

“Bashkë me Escobar diskutuam edhe për sfidat e sigurisë në Kosovë dhe në rajonin tonë, veçanërisht pas sulmit në Banjskë…Grupi terrorist dhe paramilitarë nga Serbia i përfshirë në këtë sulm duhet të përballën me drejtësinë në Kosovë për këtë akt të agresionit, pra duhet të këtë përgjegjësi. Serbia duhet që t’i ekstradojë të gjithë ata që ishin pjesë e planifikimit, financimit dhe organizimit të këtij akti të agresionit ndaj Kosovës dhe stabilitetit në rajon. Ndërsa ne do të vazhdojmë që t’i zbatojmë standardët më të larta për një gjykim të drejtë dhe do të vazhdojmë që të punojmë krahë për krahë me aleatët tanë në veçanti me SHBA-të që kufiri ynë të jetë i sigurt dhe që të parandalojmë sulme të tilla në të ardhmen, për çka jam e bindur që edhe në qoftë se Serbia në të ardhmen tenton një gjë të tillë përderisa punojmë së bashku me SHBA-të do të dështojë, ashtu siç ka dështuar edhe më 24 shtator”, ka thënë Osmani.

Ajo tha se në procesin e dialogut Kosova është thellësisht e përkushtuar dhe se suksesi i tij varët edhe nga qasja parimore dhe e barabartë e ndërmjetësuesit (në këtë rast të BE-së ndaj palëve).