Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Nju Jork, ka takuar kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme ndaj vendit tonë.
“Kosova pret mbështetje nga Luksemburgu në çështjen e liberalizimit të vizave”, ka theksuar Presidentja Osmani në takim me kryeministrin Bettel.
Sipas saj, një mbështetje të tillë nga Luksemburgu pritet edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Një theks i veçantë në këtë takim u vu edhe te bashkëpunimi ndërshtetëror.
“Kosova ka ende nevojë për mbështetje, posaçërisht në shkëmbimin e përvojave dhe partneritetit për zhvillim të qëndrueshëm. Ne e çmojmë lart ndihmën e Luksemburgut në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë”, ka theksuar Osmani, duke shfaqur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në sferën e shkëmbimit ekonomik e tregtar, por edhe në fusha të tjera të interesit reciprok.
“Kosova është për vazhdimin e dialogut më Serbinë, i cili do të rezultojë me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme dhe i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe ruajtje të karakterit unitar të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ndërkaq sa i përket situatës aktuale në Kosovës, Presidentja ka përsëritur se me vendosjen e reciprocitetit për targat, vetëm po zbatohet marrëveshja me Serbinë e vitit 2011 dhe 2016