Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë, ka thënë se nuk duhet hequr dorë në luftën për drejtësi.
Duke qenë se tema kyçe e këtij forumi është dhuna seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, para të pranishmëve, Osmani ka thënë se lufta për drejtësi për gratë s’është punë e vetëm një misioni apo forumi.
“Të angazhohemi për atë, s’është vetëm punë e një forumi e as e një misioni a një mandati, por bëhet mision i jetës. Jemi bërë bashkë për dhunën që flitet për konfliktet, gratë e vajzat preken më së shumti. Ndërsa jemi bërë bashkë për t’i diskutuar këto çështje, ndjej inspirim të thellë nga gratë e Kosovës”, ka deklaruar Osmani.
E para e shtetit, tha se ky edicion i forumit është unik në shumë aspekte.
“Përzgjedhja e dy temave kyçe për këtë edicion, nga njëra anë dhuna seksuale në lidhje me konfliktin dhe siguria klimatike në anën tjetër, nuk janë rastësi dhe në përpjekjet tona natyrisht kemi adresuar të gjitha sprovat e kohës por na duhen edhe leksionet e të kaluarës në mënyrë që të ballafaqohemi suksesshëm me të ardhmen”, tha Osmani.
Sipas saj, gratë në Kosovë kanë mbijetuar në kohët më të dhimbshme.
“Rrugëtimi i tyre nuk ka qenë i lehtë”, ka shtuar ajo.
Në këtë edicion pjesëmarrës janë nga më shumë se 40 shtete të botës me afro 1 mijë pjesëmarrës dhe tema kyçe do të jetë dhuna seksuale gjatë luftës.