Lajme

Osmani fton deputetët të amendamentojnë buxhetin për të përfshirë shtesat dhe mëditjet për ushtarakët e FSK-së

11/21/2024 10:22
nga:Y I

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i është adresuar sot Kuvendit me një fjalim.

Osmani ka ftuar deputetët të amendamentojnë buxhetin për të përfshirë shtesat dhe mëditjet për ushtarakët e FSK-së.

“Të nderuar deputetë, hapin e parë mund ta bëni qysh sot. Praktika e Kuvendit ju lejon, nëpërmjet procedurës së shmangies, të paraqisni amendamente edhe në seancë. Shfrytëzojeni këtë mundësi që të propozohet që buxhetit të FSK-së, t’i shtohet shuma e duhur në mënyrë që ushtarakët tanë të kenë shtesat e rrezikshmërisë, ato jashtë orarit të punës, si dhe mëditjet për trajnime mbi një muaj. Ky do të ishte kontribut i jashtëzakonshëm në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe një lajm i mirë në fundvit për secilin që sot i shërben atdheut. Si alternativë, kjo çështje do të duhej të shqyrtohej në momentin e parë të rishikimit të buxhetit”

“Efikasiteti dhe efektiviteti i operacionalitetit të FSK-së, krahas ndjenjës së detyrës dhe përgjegjësisë ndaj kushtetutës dhe atdheut, është i ndërlidhur ngushtë edhe me shkallën e mirëqenies sociale e ekonomike të tyre dhe familjeve të tyre.Prandaj, edhe kam propozuar programin shtetëror për mbështetjen e FSK-së në 8 pika tashmë të publikuara, përmbushja e të cilave, në fazën finale të tranzicionit për kompletimin e aftësive dhe kapaciteteve të plota operacionale, do të ndikonte fuqishëm në ndërtimin e FSK-në edhe më profesionale, edhe më të motivuar, edhe më të fortë” iu drejtua Osmani deputetëve raporton “Gazeta Blic”.