Presidentja Vjosa Osmani, ka shkruar për donacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të 55 automjeteve ushtarake, raporton Gazeta Blic.
Osmani e ka falenderuar popullin amerikan për ndihmën e vazhdueshme dhënë për Kosovën.
Presidentja shtoi se “pajisjet ushtarake të cilat i pranoi sot FSK-ja janë dëshmi se ushtria jonë po zhvillohet dita-ditës në ushtri bashkëkohore, e aftë që t’i shërbejë vendit dhe të sigurojë paqen e qëndrueshme në rajon”.
Shkrimi i plotë:
Sot, partneri ynë strategjik, SHBA, ia dhuroi forcave tona të armatosura 55 automjete ushtarake, të cilat do ta ndihmojnë ushtrinë tonë që t’i përforcojë më tej kapacitetet e veta dhe do ta thellojë ndërveprimin me ushtritë aleate.
Në një ceremoni të organizuar me këtë rast, ia shpreha mirënjohjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës presidentit, qeverisë dhe popullit mik amerikan, të cilët po kujdesen që Kosova të zhvillojë kapacitetet e saj ushtarake. Ne u jemi përjetësisht mirënjohës.
Pajisjet ushtarake të cilat i pranoi sot FSK-ja janë dëshmi se ushtria jonë po zhvillohet dita-ditës në ushtri bashkëkohore, e aftë që t’i shërbejë vendit dhe të sigurojë paqen e qëndrueshme në rajon.


