Presidentja Vjosa Osmani të premten dhe të shtunën pritet të qëndrojë në Paris.
E para e shtetit është në listën e pjesëmarrësve në Forumin e Paqes 2022, ku pritet të diskutohet për tejkalimin e krizave të ndryshme globale, nga ajo klimatike e deri te kriza ekonomike.
Në këtë ngjarje, Osmani do të marrë pjesë në cilësinë e panelistes në temën “Navigimi në trazirat ndërkombëtare”.
Edhe pse për këtë pjesëmarrje nuk është dhënë asnjë njoftim nga Presidenca, është vetë forumi që ka ndarë disa të dhëna në faqen zyrtare të internetit.
Pjesëmarrës në këtë forum pritet të jenë edhe presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, drejtori i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Strategjike (IRIS), Paskal Bonifaci dhe Këshilltari i Lartë, Qendra për Dialog Humanitar, Jean-Marie Guehenno.
Forumi i titulluar “Bashkëpunimi në vend të luftës? Gjetja e shtigjeve për t’i naviguar trazirat ndërkombëtare”, pritet të nis të premten (11.11.2022) në orën 14:15, dhe do të vazhdojë edhe të shtunën.
Ndërkaq, në Paris do të qëndrojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pikërisht për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Por ndryshe nga presidentja Osmani, Vuçiqi vetë dha detaje rreth kësaj vizite.
“Në dy ditët e ardhshme, do të kem takime në Paris me Josep Borrellin dhe Miroslav Lajçakun. Do të shohim se a do të ketë edhe takime tjera atje”, ka deklaruar Vuçiqi.
“Kam anuluar një mori vizitash, përfshirë atë në Katar për nisjen e Kupës së Botës në futboll, për shkak të situatës në vend”, ka shtuar ai, duke iu referuar situatës në Kosovë.
Ai ka treguar se në plan është edhe një bisedë me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Klan Kosova i ka dërguar disa herë pyetje edhe Qeverisë së Kosovës për të mësuar nëse në këto takime do të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, mirëpo deri në momentin kur është publikuar ky shkrim, nuk i është kthyer përgjigje.
Kujtojmë se pas insistimit të Qeverisë së Kosovës që të shkallëzohet vendimi për konvertimin e targave nga ato ilegale të lëshuara nga Serbia, në legale të lëshuara nga institucionet e Kosovës, janë bërë një serë thirrjesh nga bashkësia ndërkombëtare që një vendim i tillë të shtyhet për një vit.
Madje, ka pasur paralajmërime nga zyrtarë serbë nga veriu i Kosovës se situata mund të përshkallëzohet – sidomos nga 21 nëntori – datë kjo kur pritet të nisë edhe shqiptimi i gjobave nga ana e Policisë së Kosovës për shoferët që drejtojnë automjete me targa ilegale.
E si pretekst për këtë masë, serbët e udhëhequr nga Lista Serbe, parti kjo e dirigjuar direkt nga Beogradi zyrtar, kanë vendosur të largohen nga institucionet e Republikës së Kosovës.


