Lajme

Osmani: Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që po shihet qartë, tendencën ruso-serbe për destabilizim të rajonit

09/25/2021 16:07
nga:M K

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka ftuar faktorin ndërkombëtar që mos ta injorojë situatën në veri.

Sipas saj, tendenca ruso-serbe për destabilizim të rajonit, respektivisht dëmtimin e BE-së po shihet qartë, përcjell GazetaBlic.

Në fund Osmani ka ftuar qytetarët e Republiksë së Kosovës, në veçanti serbët që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë.

Më poshtë edhe postimi i plotë i para pak çasteve.

Sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon.
Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-në, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje de Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetetbaltike: Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e
para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi.
Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti serbët e Kosovës që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë pranë tyre duke ofruar mbështetje dhe siguri nga strukturat kriminale dhe ilegale të Serbisë.

/GazetaBlic/