Në 45-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varret e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, në fshatin Dubovik.
Osmani atje tha se data e 17 janarit është ndër ditët më të kobshme për kombin meqë është dita kur u vranë vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka dhe po ashtu ajo tha se në këtë ditë u vra edhe Smajl Hajdaraj dhe data kur vdiq heroi kombëtar Gjergj Kastrioti.
“Një ditë e humbjeve të shumëfishta, por njëkohësisht një ditë e një krenarie të madhe e kombit tonë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se tre heronjtë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka dëshmuan se më shumë e deshën Kosovën sesa jetën e tyre.
“Ata u shndërruan në zërin e një kombi në kohë shumë të rënda”.
Ndërkaq, Kurti tha se vrasja e tyre nga agjentët e UDB-së famëkeqe tregon se edhe para “suprimimit të autonomisë, gjatë gjithë kohës kemi pasur patriotë të jashtëzakonshëm, veprimtarë të paepur, të cilët u flijuan duke sakrifikuar gjithçka për shtetin dhe lirinë, të cilën e kemi dhe e gëzojmë sot”.
“Edhe para luftës, shqiptarët nën Jugosllavi e Serbi nuk kishin paqe dhe për këtë janë dëshmi edhe demonstratat e shumta të organizuara, por gjithashtu edhe ish-të burgosurit e të persekutuarit politikë”, tha Kurti atje.
Ai shtoi se “Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u vranë më pak se një vit, pas demonstratave të vitit 1981, në kohën kur organizata të shumta të fshehta të kohës po bëheshin bashkë dhe Jugosllavia e Serbia, i goditën pikërisht Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun, atëherë kur po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha organizimi për Republikën e Kosovës dhe për çlirimin e popullit tonë”.


