Lajme

OSBE-ja vëzhgon zgjedhjet në Maqedoni të Veriut- Vërejtjet i themi nesër!

05/08/2024 14:33
nga:Y I

Koordinatori special i OSBE-së, Nikoloz Samkharadze, së bashku me shefen e misionit të Asambles Parlamentare të OSBE-së, Karina Odebrik, vizituan vendvotimet në Shkup.

Ai theksoi se aktivitetet e tyre janë në kuadër të misionit të përbashkët të Asamblesë Parlamentare të OSBE, ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës.

“Jemi këtu në qendër të Shkupit, duke vëzhguar një vendvotim në një shkollë fillore. Ne gjithashtu do të bëjmë vëzhgime në të gjithë vendin, në zonat rurale dhe urbane dhe të gjitha vërejtjet dhe vëzhgimet tona do t’i themi nesër në një konferencë për shtyp në orën tre”, tha Samkharadze.

Karina Odebrik, shefe e misionit të AP të OSBE-së, informoi se kanë mbi 300 vëzhgues, ndërsa nga Asambleja Parlamentare ka 56 vëzhgues nga 25 vende.

“Ajo që është e rëndësishme gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve është që të mbledhim të gjitha vërejtjet dhe t’i vendosim në një deklaratë të përbashkët”, shpjegoi Odebrik./alsatm/