Lajme

OSBE: Bashkëpunimi ndër-komunal në Kosovë mbetet i pakryer, pavarësisht kornizës ligjore

12/24/2025 12:43
nga:Sh R

Një raport i ri i Misionit të OSBE-së në Kosovë nxjerr në pah se bashkëpunimi ndër-komunal (BNK) në vend nuk po shfrytëzohet sa duhet, edhe pse ekziston një kornizë ligjore e harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OECD-së.

Bashkëpunimi ndër-komunal, sipas raportit, i referohet marrëveshjeve formale ose joformale midis komunave për të arritur qëllime të përbashkëta, të tilla si përmirësimi i ofrimit të shërbimeve, tërheqja e fondeve të reja dhe forcimi i lidhjeve ndërmjet komuniteteve. Megjithatë, zbatimi praktik mbetet i kufizuar.

“Pavarësisht këtyre përfitimeve potenciale, bashkëpunimi ndër-komunal është ende shpeshherë joformal, i pastrukturuar ose nuk ndodh fare. Si rezultat, humbasin mundësitë për shërbime më të fuqishme, shpenzime publike më efikase dhe bashkëpunim më të avancuar mes komuniteteve”, tha Ambasadori Gerard McGurk, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Raporti identifikon disa mundësi kyçe për përmirësimin e BNK-së, duke përfshirë:

  • Thjeshtimin dhe modernizimin e kornizës ligjore për të lehtësuar themelimin e marrëveshjeve ndër-komunale.
  • Krijimin e stimujve politikë dhe një fondi të dedikuar për bashkëpunimin ndër-komunal.
  • Forcimin e mbështetjes institucionale, veçanërisht përmes rritjes së kapaciteteve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për këshillim, monitorim dhe promovim të marrëveshjeve.
  • Promovimin e bashkëpunimit ndër-komunal në fushat e gjithëpërfshirjes, përfshirë reagimet ndaj dhunës me bazë gjinore, shërbimet për të rinjtë dhe iniciativat mes komunave me përbërje të ndryshme komunitare.

Raporti përfundon se, nëse implementohen këto reforma dhe investime, bashkëpunimi ndër-komunal mund të transformohet nga një praktikë margjinale në një instrument thelbësor për përmirësimin e performancës komunale dhe forcimin e qeverisjes lokale.

Raporti i plotë mund të gjendet këtu. /Telegrafi