Lajme

Orbani takohet sot me Trumpin, të cilin e mbështet në zgjedhjet e nëntorit

03/08/2024 15:36
nga:Y I

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, do të takohet me Donald Trumpin në resortin luksoz të ish-presidentit amerikan në Florida më 8 mars.

Lideri hungarez e ka shprehur mbështetjen e tij për “mikun e mirë” Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Orban, mbase përkrahësi më i madh i Trumpit në Evropë, ka folur haptazi për dëshirën që Trumpi të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se kjo është “qasja e vetme e arsyeshme” për Hungarinë.

Qëndrimi i Orbanit është plotësisht i kundërt nga ai i shumë liderëve në Evropë, të cilët druhen se kthimi i Trumpit si president do t’i dëmtojnë marrëdhëniet dhe do ta rrënojë sigurinë në gjithë kontinentin.

“Për Hungarinë, parapëlqimi për Trumpin nuk ka të bëjë me pëlqime personale apo lidhje politike, por ka të bëjë me atë se politika e jashtme e cilit lider amerikan do ta përforconte sigurinë hungareze”, tha zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs më 4 mars.

Orbani do të ndalet në resortin Mar-a-Lago, pasi mori pjesë në një panel të Fondacionit konservator të Trashëgimisë në Uashington një ditë më parë, kur foli për politika ekonomike dhe familjen konservatore hungareze, luftën në Ukrainë, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Hungarisë, Trumpin dhe për besimet e tij politike personale.

Agjenda e kryeministrit hungarez nuk është bërë publike, dhe nuk dihet nëse ai do të takohet me ndonjë zyrtar tjetër amerikan gjatë vizitës në këtë vend.

Uashingtoni ka qenë kritik i Organit, për shkak se Qeveria e tij i ka rrënuar parimet demokratike dhe i ka ruajtur marrëdhëniet e ngushta me Rusinë prej se Kremlini i nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

Orbani, i cili është injoruar nga shumë liderë perëndimorë, nuk ka pranuar t’i dërgojë armë Ukrainës, derisa ka bërë përpjekje për një armëpushim të menjëhershëm dhe për bisedime për paqe.

Ai thotë se Trumpi dhe marrëdhëniet e tij të mira me presidentin rus, Vladimir Putin, do ta bëjnë atë kandidat më të mirë për t’i dhënë fund luftës,

“Mundësia e vetme që e ka bota për një marrëveshje relativisht të shpejtë për paqen, është ndryshimi politik në Shtetet e Bashkuara, dhe kjo lidhet me atë se kush është president”, tha Orbani në fillim të kësaj jave.

“Nuk është rrezikim aspak, por është qasja e vetme e arsyeshme për Hungarinë ta mbështesë kthimin e presidentit Donald Trump”, tha ai.

Orbani, i cili është në pushtet prej vitit 2010, e ka cilësuar si kundërshtare Shtëpinë e Bardhë të Bidenit, sipas gazetës proqeveritar, Magyar Nemzet.