Lajme

Orav në Ditën e Romëve: Realiteti për shumë romë në Kosovë është i zymtë, megjithatë është bërë njëfarë progresi

04/08/2025 11:53
nga:Genita C

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Avio Orav, në Ditën Ndërkombëtare të Romëve tha se kjo ditë është një rast i rëndësishëm për të festuar kulturën, historinë dhe gjuhën e pasur të popullit rom.

Ai tha se në këtë ditë po ashtu nderohet “kontributi i tyre i paçmuar në shoqërinë e larmishme dhe të gjallë të Kosovës”.

“Romët janë pjesë integrale e komuniteteve tona evropiane me trashëgimi dhe arritje të përbashkëta europiane. Në Europë, ne vlerësojmë traditat tona të ndryshme dhe diversitetin që formon themelin e forcës sonë kolektive. Romët, si një nga pakicat etnike më të mëdha të Europës, kanë luajtur një rol thelbësor në formësimin e kësaj tapicerie të larmishme”.

Në një op-ed, Orav tha se ky diversitet duhet të njihet dhe të festohet.

“Kjo është arsyeja pse është thelbësore që komuniteti rom në Kosovë të ketë të njëjtat të drejta, të marrë të njëjtin trajtim dhe, më e rëndësishmja, t’i ketë të njëjtat mundësi. Fëmijët romë, vajza dhe djem, duhet të gëzojnë barazi dhe përfshirje të vërtetë që në moshë të re”.

Megjithatë, Orav thotë se realiteti për shumë gra dhe burra romë, vajza dhe djem, në Kosovë mbetet i zymtë.

“Shumë prej tyre vazhdojnë të jetojnë në margjinat e shoqërisë, duke u përballur me sfida sistematike që pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë në jetën sociale, ekonomike dhe politike”.

“Sfidat me të cilat përballen romët nuk kanë të bëjnë vetëm me vështirësitë individuale; ato pasqyrojnë çështje më të gjera shoqërore. Qasja e kufizuar në arsim, strehim, mundësi punësimi dhe kujdesi adekuat shëndetësor janë vetëm disa shembuj të padrejtësive dhe diskriminimit që vazhdon të përjetojë komuniteti rom. Për më tepër, gratë dhe vajzat nga komuniteti rom përjetojnë shtresa të shumëfishta diskriminimi, si në bazë të përkatësisë së tyre etnike, ashtu edhe në bazë të gjinisë”.

Orav thotë se është e vërtetë se mundësitë e punësimit për komunitetin rom mbeten të pakta, kryesisht për shkak të qasjes së pamjaftueshme në arsim cilësor që plotëson kërkesat e tregut të punës.

“Shumë romë janë të punësuar në punë të pakualifikuara brenda ekonomisë informale. Kjo reflektohet në një shkallë të papunësisë prej mbi 60% në mesin e romëve—më shumë se dyfishi i asaj të popullatës së përgjithshme në Kosovë”.

Shefi i Zyrës së BE-së thotë se nevojiten përpjekje më të mëdha për të mbështetur punën e qendrave mësimore, të cilat, sipas tij, shpesh vuajnë nga financimi i pamjaftueshëm dhe mundësitë e kufizuara të zhvillimit profesional për mësuesit e tyre.

“Megjithatë, është bërë njëfarë progresi. Jam i kënaqur të shoh disa përmirësime në arsim, punësim dhe strehim. Ka pasur progres në mbështetjen e qasjes së studentëve romë në arsimin e lartë nëpërmjet bursave, si dhe në përmirësimin e qasjes në banesat sociale, veçanërisht pas miratimit të fundit të Ligjit për strehim social të përballueshëm. Për të adresuar martesat e hershme, braktisjen e shkollës dhe papunësinë në komunitetet e cenueshme, është krijuar një qasje bashkëpunuese përmes grupeve të punës ndërinstitucionale. Këto grupe – që përbëhen nga autoritetet ligjore, institucionet arsimore, punonjësit socialë, komunitetet lokale dhe organizatat joqeveritare – koordinojnë përpjekjet e tyre për të dhënë një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj këtyre sfidave komplekse”, tha Orav.

Ai shtoi se duhet “të mbetemi të përkushtuar për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë”.

“Gratë dhe burrat romë, vajzat dhe djemtë, duhet të kenë qasje në të njëjtat mundësi që u mundësojnë të gjithëve të lulëzojnë – qoftë në arsim, punësim, kujdes shëndetësor, apo pjesëmarrje në jetën qytetare dhe politike. Lufta kundër diskriminimit dhe qëllimi i integrimit të plotë duhet të qëndrojë në thelb të politikave të Kosovës”.

Orav tha se BE-ja në Kosovë mbetet e përkushtuar për të luajtur rolin e saj në nxitjen e ndryshimeve pozitive.

“Kjo është një përpjekje e vazhdueshme—që kërkon bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe angazhim aktiv të shoqërisë civile. Duke trajtuar shkaqet rrënjësore të diskriminimit dhe përjashtimit, ne mund të ndihmojmë në ndërtimin e një Kosove më të barabartë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë”.