Policia, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, e kanë zhvilluar një operacion të koduar “Ora e fundit”.
Në këtë aksion, një person ka përfunduar në pranga, thuhet në njoftimin e policisë.
Vlera e tabletave (MDMA), llogaritet të jetë rreth 200 mijë euro.
“Janë sekuestruar prova të shumta materiale, përfshirë: Shtatë (7) paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit Ekstazi (MDMA); Një veturë Daimler Chrysler E320 CDI, ngjyrë e zezë, me targa vendore. Po ashtu, është bastisur banesa e të dyshuarit në Prishtinë, ku gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar tri (3) qese najloni të vogla me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë”.
“Me urdhër të Prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti po trajtohet si vepër penale e trafikimit të narkotikëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës përmes njësiteve të antidrogës, në bashkëpunim me institucionet dhe agjencitë e tjera relevante, mbetet e përkushtuar fuqishëm në luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e shpërndarjes së substancave narkotike, me qëllim të garantimit të sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, njoftojnë organet e rendit.

