Sporti

Opsione të reja për një huazim të mundshëm të Endrick

10/28/2025 16:05
nga:Mergim Rreci

Ylli i ri brazilian, Endrick, nuk ka luajtur asnjë minutë për Real Madridin këtë sezon nën drejtimin e trajnerit të ri, Xabi Alonso.

Shumë veta besojnë se një huazim në dimër është opsioni më i mirë për të shpëtuar karrierën e tij dhe për të siguruar një vend në skuadrën e Brazilit për Kupën e Botës.

Edhe pse humbi një pjesë të sezonit për shkak të një dëmtimi në kofshë, duket se ka humbur besimin e trajnerit të ri  dhe përballet me një betejë të vështirë për t’u rikthyer në ekip.

Për shkak të kësaj situate, po shtohen spekulimet për një transferim të mundshëm në formë huazimi gjatë afatit kalimtar të dimrit.

Korrespondenti gjerman i Sky Sports, Florian Plettenberg, shkruan se Reali është i hapur për mundësinë e dërgimit të Endrick-ut të ri në Bundesligë, ku Stuttgart thuhet se është i interesuar ta huazojë atë.

Gazeta spanjolle AS shkruan se klubi që e sjell Endrick-un në formë huazimi për gjysmë sezoni do të duhet të mbulojë pagën e tij, e cila është afërsisht 1.7 milionë euro për një periudhë gjashtëmujore.

Megjithatë, Stuttgart nuk është i vetmi në lojë. Marseja franceze thuhet se ka treguar interes për Endrick, dhe më parë edhe kampionët aktualë të Evropës Paris Saint-Germain dhe Juventusi u përmendën si destinacione të mundshme.

/GazetaBlic Sport/