Lajme

Opozitari rus i bindur: Putini do të humbë pushtetin për shkak të konfliktit në rrethin e tij të ngushtë

04/11/2022 00:03
nga:Astrit Gashi

Udhëheqësi i opozitës ruse, Leonid Volkov, 41 vjeçar, aktualisht po menaxhon nga Lituania rrjetin dixhital të kundërshtarëve të regjimit në Rusi.

Volkov është specialist në teknologjinë e informacionit dhe gjatë fushatave politike, ai ishte kreu i kabinetit të kundërshtarit të burgosur të Putinit, Alexei Navalny.

Në një intervistë për “Rrjetin Editorial të Gjermanisë” (RND), Volkov e përshkruan krizën në të cilën çoi lufta e Putinit si një mundësi për Rusinë.

Opozita ruse e quan naive idenë se Putini “mund të përmbyset nga disa tubime të mëdha proteste”.

Sipas tij, “skenari më i mundshëm” është një përshkallëzim i “konflikteve të brendshme në rrethin e tij më të ngushtë”, që do të rezultojë me rënien politike të Putinit.

Ai pretendon se elita politike dhe ekonomike në Moskë nuk është homogjene.

“Shumica e këtyre njerëzve, siç e dimë me siguri, ishin kundër luftës. Shumë madje u tronditën kur Putini urdhëroi pushtimin,” tha Volkov.

Sipas tij, ankthi po rritet sot në mesin e elitave, ankth ky i cili është shumë më i fortë se tek rusët e zakonshëm.

“Elita kuptoi dy gjëra: Putini nuk po përparon ushtarakisht në Ukrainë, siç ishte planifikuar, planet e tij rezultojnë joreale. Në të njëjtën kohë, një ngjarje shumë reale po ndodh në sferën ekonomike: sanksionet perëndimore po godasin ekonomikisht Rusinë”, tha Volkov.

Sipas tij, këta dy faktorë rrisin presionin ndaj Putinit dhe në fund do t’i kushtojnë atij presidencën.

I pyetur se çfarë mund të bëjë Perëndimi për të ndihmuar në përshkallëzimin e konflikteve të brendshme mes elitave, Volkov tha se politikanët perëndimorë duhet të jenë më të guximshëm në marrëdhëniet e tyre me liderët rusë, duke përfshirë një rreth të vogël njerëzish përreth Putinit.

“Për shembull, pse Anthony Blinken nuk i afrohet kolegut të tij Sergei Lavrov dhe nuk i thotë: Hej, nëse tani heq dorë nga Putini dhe dënon publikisht krimet e tij, ne do t’ju ofrojmë imunitet dhe siguri”, sugjeron Volkov.

Hapat e tillë, sipas tij, mund të përshpejtojnë ndarjet në Moskë.

Në të njëjtën kohë, Volkov beson se goditjet që mund të pasojnë në Rusi për shkak të rënies së regjimit të Putinit mbartin në vete jo vetëm rreziqe, por edhe mundësi.

Sipas tij, “lufta e Putinit i ka shkaktuar Rusisë dëme të mëdha”, duke shkatërruar plotësisht reputacionin ndërkombëtar të vendit dhe duke rezultuar me një ikje depresive të trurit.

“Largimi i Putinit nga pushteti si rezultat i kësaj lufte kriminale do të ofronte një mundësi për të vendosur një vijë të qartë nën gjithë këtë. Në rastin më ideal, Rusia mund të bëjë një rifreskim të plotë. Imagjinoni Rusinë si një vend krejtësisht normal evropian. Kjo do të ishte një pikë kthese gjigante historike”, theksoi Volkov.