Njohësi i çështjeve politike, Blerim Gashi, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka komentuar deklaratën e dhënë dy ditë më parë nga kryeministri Kurti se nëse shkohet tani në zgjedhje opozita ‘zhduket’.
Gashi një deklaratë të tillë të Kurtit e ka cilësuar si mjaft të sinqertë duke thënë se i njëjti nuk njihet për dramat dhe mungesën e një çasjeje të drejtpërdrejtë për atë ç’ka mendon.
“Eshtë një deklaratë mjaft e sinqertë të them të vërtetën, sepse Kurti së paku nuk njihet për dramat dhe për mungesën e një qasjeje të drejtpërdrejtë për atë ç’ka mendon. Po, kjo mund të duket frikësuese duke e patur parasysh gjendjen edhe debaklin elektoral që ka kaluar në zgjedhjet e fundit opozita e tanishme. Deklaratat e zoti Kurti nuk duhet të shihen me prapavijë gjithmonë, jo vetëm të zotit Kurti por edhe të opozitëbërjes”
“Eshtë në natyrën e opozitë-bërjes të mundohet ta rrëzojë dhe përfitojë legjitimitet, respektivisht votë më të madhe, ngritje të trupës elektorale por është e natyrshme dhe krejt legjitime edhe nga kryeministri Kurti i cili gjithsesi është figurë politike, përfaqëson një lëvizje politike, parti politike e cila i ka fituar zgjedhjet si askush më parë. Prandaj e shoh si përdorim politik për një rivalitet politik të brendshëm jo për ndonjë ‘luftë’ apo ndonjë armiqësi shekullore që mund ta ketë zoti Kurti apo kushdo qoftë nga pozita” deklaroi Gashi për “Gazeta Blic”.
I pyetur se si sheh rënditjen e subjekteve nëse shkohet tani në zgjedhje, Gashi u përgjigj kështu.
“Eshtë pak problematike për të thënë por në bazë të sondazheve që janë bërë, sondazhet janë njëri nga treguesit. Nga këndvështrimi im rënditjen e shoh pak a shumë njëjtë si ka qenë në zgjedhjet e kaluara. Me vështirësi të shtuara për partitë që janë në minorancë pasi është mjaft delikate puna e pragut”
“Çështja e pragut sa shkon e rritet për AAK-në dhe bëhet ai prag më i madh edhe pse është vetëm 5% ndërsa nuk shoh një çrregullim të rënditjes. Ndaj një mendim të njëjtë me disa nga eksponentët politikë të Vetëvendosjes kur thonë që zgjedhjet nuk do të prodhojnë befasi, mund të prodhojnë befasira vetëm për sasinë statistikore për tani pozitën, respektivisht Vetëvendosjen. Mund të prodhohet ndonjë befasi eventuale për ndërim të vendit të dytë dhe vendit të tretë, ndërsa në këtë relacion nuk shoh ndonjë ‘tërmet’ apo ndryshim politik të madh, prandaj nuk shoh që zgjedhjet do të ishin zgjidhje” tha Gashi për “Gazeta Blic”.


