Lajme

Opozita s’pret rezultat nga takimi i nesërm në Bruksel, kritikon Qeverinë: Sanksione e koncesione të dëmshme

10/23/2024 20:34
nga:G B

Nesër (24 tetor) në Bruksel do të mbahet takimi në nivel të kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Sa i përket një takimi trilateral, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se “varet nga vullneti i palëve”.

Ndërsa, lidhur me temën e diskutimit, Stano në një konferencë për media, ka thënë se temë do të jetë çdo herë siç ka qenë edhe më herët Marrëveshja e Ohrit.

“Agjenda është si ka qenë në të kaluarën që urgjentisht të startohet me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, dhe për nevojën që të dyja palët të bien dakord që të arrihet progres në dialog”, ka thënë Stano.

Lidhur me pritjet nga takimi i Brukselit, nga opozita janë deklaruar për Gazeta Blic.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thotë se për 4 vite s’ka pasur transparencë nga Qeveria dhe tani çdo gjë po bëhet në kuadër të fushatës parazgjedhore.

“Që 4 vite s’ka pasur transparencë, tash çka të bëjnë e kanë për fushatë, duhet të fokusohen në dialog sepse kanë dështuar në gjitha fushat, kemi masa nga Bashkimi Evropian, e kemi humbur Këshillin e Evropës, pasi të gjitha proceset integruese i kanë lidhur me dialog dhe është humbje e madhe mos kalimi në Këshill të Evropës dhe tash e 4 vite kemi vetëm regres në proceset integruese asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka deklaruar Krasniqi për Gazeta Blic.

Kritike ndaj Qeverisë lidhur me dialogun është shprehur edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Ajo thotë për Gazeta Blic se Qeveria është pa strategji dhe pa parime në dialog, teksa ka shtuar se nuk pret rezultat pozitiv nga takimi.

“Kjo qeveri është në dialog, pa strategji, pa parime dhe pa qëllim përparimin dhe avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Prandaj, përveç degradimeve eventuale siç ishte Marrëveshja e Ohrit, nuk pres të ketë rezultat pozitiv”, vlerëson deputetja.

Se nuk pret asgjë nga takimi e aq më pak diçka mirë, është shprehur për Gazeta Blic edhe Time Kadrijaj, deputete e AAK-së.

Ajo ka thënë se Qeveria ka bërë koncesione në dëm të Kosovës, derisa ka përmendur Asociacionin e vendimin për Manastirin e Deçanit, ndërsa thotë se Kosova s’ka përfituar asgjë.

“Ne s’po presim asgjë, e veçanërisht diçka të mirë. Sa herë të takohen normal se e bëjnë ndonjë koncesion që është në dëm të Kosovës. Njëjtë dhuroi tokat e Manastirit të Deçanit, pranoi Zajednicën që ka kompetenca ekzekutive e ato komuna do të kenë autonomi, e kjo qeveri po i dhuron të gjitha këto pa përfituar asgjë Kosova. Çka kemi fituar nga dialogu përpos sanksioneve e humbja e milionave nga këto sanksione. Tash këta janë zotuar për zbatim të marrëveshjeve duke përfshirë edhe Zajednicën”, ka deklaruar deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj./Gazeta Blic/

 

Stano: Nesër në takimin e dialogut flitet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit