Lajme

“Opozita nuk ka kauzë, po bie në lojën e Kurtit”, Ukshini kritikon partitë opozitare

04/29/2026 17:37
nga:Genita C

Ish-diplomati Sylë Ukshini ka kritikuar partitë opozitare për mungesë të kauzave politike.

Në emisionin FIVE, Ukshini tha se opozita është e paqartë në qëndrimet e saj dhe nuk ka arritur të ndërtojë një narrativë të fortë politike, ndryshe nga kryeministri Albin Kurti.

“Kurti, mirë a keq, ka ndërtuar kauza, nga Astrit Dehari, demarkacioni, bashkimi kombëtar, korrupsioni, asociacioni, por kush po e ndalë opozitën me ndërtu kauza, nuk kanë kauzë”, ka deklaruar ai.

Sipas Ukshinit, opozita po bie në “lojën” e Kurtit, duke u fokusuar në debatet për përgjegjësitë rreth zgjedhjeve, në vend që të ofrojë alternativa konkrete programore.

Ai vlerësoi se kriza aktuale nuk është thjesht juridike apo kushtetuese, por rrjedh nga mungesa e kompromisit politik, duke e lidhur këtë edhe me zhvillimet politike që nga viti 2014.

Ukshini tha se kryeministri Kurti ka tentuar të afrojë partitë opozitare, veçanërisht LDK-në, duke i bërë oferta që, sipas tij, kanë qenë të favorshme, por që nuk janë pranuar për shkak të kalkulimeve politike dhe hezitimit.

Ai shtoi se PDK-ja, në anën tjetër, është më e fokusuar në zhvillimet rreth Gjykatës Speciale sesa në kombinimet politike.