Lajme

Opozita kritikon Kurtin: Nuk ka shkelur në Shtëpinë e Bardhë, që katër vite në mandat!

10/02/2024 19:03
nga:G C

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka shprehur kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë për mungesë të qartë të agjendës gjatë vizitave të tij jashtë Kosovës.

Haziri, ka theksuar se kryeministri Albin Kurti po i ngjan vetvetes si “i vetmi kryeministër që 19 ditë ka qëndruar në vizita jashtë Kosovës pa agjendë e arsye.

“Kurti po i ngjan vetvetes si i vetmi kryeministër që 19 ditë ka qëndruar në vizita jashtë Kosovës pa agjendë e arsye. Arsyeja e tij e dytë është të shesë popullit mjegullën se “i ka punët në vijë me politikën e administratës amerikane”, në kohën kur amerikanët deklarojnë se i kanë mirë punët me popullin e Kosovës, por jo me qeverinë e Kosovës, dhe veçanërisht me liderësinë e saj”, tha Haziri për GazetaBlic.

Edhe, deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesën e takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë gjatë mandatit të tij.

Ai theksoi se Kurti nuk ka vizituar Shtëpinë e Bardhë për katër vite dhe se takimi me kryeministrin e Lihtenshtajnit në sesionet e OKB-së përbën një “debakel në politikën e jashtme.”

Kastrati paralajmëroi se kjo situatë tregon se Kurti është i padëshirueshëm nga aleatët e Kosovës, duke theksuar se pasojat e këtij izolimi do t’i vuajë vendi.

“Kryeministri Kurti nuk ka shkelur në Shtëpinë e Bardhë për katër vite mandati. Të shkojë në sesione të OKB-së dhe të mos takohet me asnjë zyrtar të lartë amerikan, kjo i ka ndodhur vetëm Kurtit. Çdo kryeministër dhe ministër i jashtëm i Kosovës në të kaluarën, gjatë sesioneve të OKB-së, ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të lartë amerikanë, dhe jo vetëm. Të marrësh rrugë deri në OKB për t’u takuar me kryeministrin e Lihtenshtajnit është një debakel në politikën e jashtme. Kjo tregon që Kurti është i padëshirueshëm nga aleatët e fortë të Kosovës. Fatkeqësisht, pasojat e këtij izolimi ndërkombëtar i vuan Kosova dhe jo Kurti”, tha Kastrati.

/GazetaBlic/