Partia në pushtet Lëvizja vetëvendosje, pret që në takimin paralajmëruar për javën e ardhshme në nivel kryenegocitorësh temë diskutimi të jetë sekuencimi i marrëveshjes së Brukselit edhe pse thekson se për mirëbesim në dialog duhen plotësuar tri kushtet e kryeministrit Kurti. Opozita ndërkaq vlerëson se është koha që Kosova dhe Serbia të fillojnë së zbatuari të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të dialogut përfshirë edhe themelimin e Asociacionit nga Kosova.
Në përpjekje për përparim në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, javën e ardhshme pritet të takohen në Bruksel kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bisilmi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq.
Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi pret që në takimin e kryenegocitorëve temë diskutimi të jetë sekuencimi i marrëveshjes së Brukselit megjithatë sipas tij, për mirëbesim në dialog duhen plotësuar tri kushtet e kryeministrit Kurti.
“Qëndrimi i Kurtit, që unë nuk do t’i quaja kushte, por principe që garantojnë sukses në dialog që garantojnë ose manifestojnë vullnet për dialog të mirëfilltë. E para, nënshkrimi i marrëveshjes bazë si ri-konfirmim që palët janë dakorduar dhe ka marrëveshje. E dyta, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Brnabiq dhe e treta, ekstradimi i Radoiçiq….Këto do të ishin gjeste dhe sinjale të mirëbesimit që palët janë të interesuara vërtet për normalizim të raporteve/ Në rrafshin e kryenegociatorëve në kuptimin teknik të fjalës për të diskutuar dhe harmonizuar ose përpjekur për të gjetur ndonjë dakordim për planin e sekuencimin mund të vazhdojnë takimet. Unë nuk e di a mund të ketë takim trelateral, por nuk mund të përjashtoj mundësinë që të ketë. Sido që të jetë neve na duhet një plan sekuencimi i qartë që garanton palët që përmbushet marrëveshja e Brukselit në tërësi dhe mirëbesim”, tha Rrustemi.
Takim i paralajmëruar në nivel kryenegocitorësh vjen pas dështimit të takimit të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq.
Kryeministri Kurti kushtëzoi takimin me nënshkrim të marrëveshjes bazë, tërheqje të letrës së ish-kryeministres së Serbisë Bërnabiq dhe dorëzimin e Radoiçiqit.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se është koha që Kosova dhe Serbia të fillojnë së zbatuari marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve dhe të tjera marrëveshje të arritura nga procesi i dialogut përfshirë edhe themelimin e Asociacionit nga ana e Kosovës.
Pushteti, ndërkaq thotë se Kosova s’do të bëjë asnjë lëvizje për asociacionin si të ndarë nga marrëveshja bazë e Brukselit.
“Kosova s’do të lëvizë në asnjë mënyrë drejt themelimit të asociacionit në qasjen si po paraqitet duke shkëputur pikën shtatë nga marrëveshja bazë e Brukselit. Kosova s’do të bëjë asnjë hap të një asociacioni që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe përbën nivel të tretë të pushtetit, por në anën tjetër as në kuptimin e procesit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, Kosova nuk do të bëjë asnjë hap duke trajtuar pikën shtatë si pikë të veçantë që përdoret si parakusht për zbatimin e marrëveshjes… S’ka asociacion pa njohje reciproke de-facto dhe nuk do të ketë kurrë asociacion që është në kundërshtim me Kushtetutën”, tha ai.
Të mërkurën në Bruskel palët zhvilluan vetëm takime ndaras me ndërmjetësit e BE-së. Për dështimin e takimit Kurti Vuçiq, përfaqësuesi i lartë i BE-së Borell kishte fajësuar Kosovën duke thënë se nuk ishte e gatshme për takim trepalësh./RTV21/21Media