Tri partitë opozitare kanë hedhur kritika në drejtim të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, sa i përket menaxhimit të shëndetësisë.
Por mazhoranca nuk po pajtohet me këto pretendime, për të cilën e lavdëron për “përmirësimin e gjendjes në shëndetësi”.
PDK, LDK e AAK thonë se dështimet ndërlidhen edhe me mungesën e investimeve kapitale, ndërsa VV-ja përmend rritjen e buxhetit për këtë sektor.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, thotë për Ekonomia Online se realizimi i investimeve kapitale është nën shumën prej 10 për qind, ndërsa shumica e buxhetit ka shkuar në suficit.
Haxhiu thotë se kryeministri Kurti nuk ka arritur ta largojë as “qenin topall” nga QKUK-ja.
“Realiteti është se në shëndetësi ka qenë një dështim total në investime kapitale. Realizimi i atyre investimeve ka qenë nën 10 për qind. Ashtu siç e kemi parë, shumica e mjeteve buxhetore dedikuar për shëndetësi në tri vitet e fundit kanë shkuar suficit. Gjendja në shëndetësi është e mjerueshme, kryeministri Kurti po jeton në një botë paralelë por më së miri do të thotë këto deklarime dhe mashtrime të tij të rrejshme i sheh qytetari i Kosovës dhe pacientët çdo ditë në spitale tona dhe e sheh çfarë mjerimi është dhe çfarë degradimi në sektorin e shëndetësisë. As atë premtimin e tij që kishte thënë me e largu atë ‘qenin topall’ nga QKUK nuk është sepse brenda një viti i kemi pas tri sulme të qenve ndaj personelit shëndetësor brenda QKUK-së kjo është përshtypja për Kurtin dhe interesimin e tij për shëndetësi”, deklaroi Haxhiu.
Haxhiu përmend edhe raportet e auditimit, të cilat thotë se kanë evidentuar shumë keqpërdorime milionëshe e kontratat njëburimore.
“Janë të shumta prej moszbatimit të ligjit, aferat korruptive, raportet e auditimit me miliona euro keqpërdorime, kontrata njëburimore, manipulime të shumta me listën e barnave esenciale, mundim i pacientëve për trajtim në sektorin publik, vuajtje e tyre edhe për trajtim jashtë vendit mospagesa me kohë e vështirësi të shumta të cilat janë evidente prej mungesave elementare të gjilpërave e dorëzave e deri tek gjërat madhore se nuk po guxojmë më i përmend të gjitha ato sepse vërtetë pastaj po kemi dështim të madh të pacientëve dhe qytetarëve”, u shpreh Haxhiu.
E ish-ministri i Shëndetësisë, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, thotë se 2024-ta është vit i keqinvestimeve në fushën e shëndetësisë.
Ai përmend shifrën e vogël për investime kapitale e mungesën e një strategjie për shëndetësi.
“Çdo vit të kësaj qeverisje ka qenë vit i keq i investimeve, qoftë kapitale, qoftë të furnizimit me barna apo pajisje që quhen produkte medicinale. Vitin e kaluar kishim më pak se 8 për qind, këtë vit jemi në muajin e katër ka disa harrnime t’i quaj por jo strategji në sektorin e shëndetësisë e cila i përmirëson shërbimet e i avancon shërbimet dhe ruan xhepin e pacientit si dhe përmirëson infrastrukturën në tërësi të institucioneve të republikës së Kosovës. Po kjo është gjuha të cilën e përdor kryeministri pas gjithë atij dështimi sidomos në këtë sektor sensitiv por këto janë fakte që flasin, nuk janë vetëm ankesa qoftë të qytetarëve as të opozitës”, u shpreh Zemaj.