Analisti politik, Gazmir Raci, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se ftesa e Kurtit ndaj opozitës ka qenë për shkak të bllokadës në Kuvend.
“Ftesa ishte kryesisht për tema që kanë të bëjnë me bllokadën e krijuar në Kuvend, pasi s’po mund të arrihen disa marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare që s’po mund të kalojnë, të cilat do të kenë një impakt të rëndësishëm financiar në jetën e qytetarëve, në secilën Komunë ku qeverisin një pjesë e madhe e këtyre partive”, thotë ai.
Sipas tij, ishte gabim që LDK e AAK nuk shkuan në takim, duke e humbur kështu mundësinë që t’ia shprehin dëshirën për zgjedhje Kurtit.
“Ishte një gabim që LDK dhe AAK nuk shkuan në takim, sepse ishte një mundësi e mirë për ta për të diskutuar edhe për kërkesën e tyre të kahmotshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, kështu që tash që nga ai takim e deri në fund të mandatit s’kanë të drejtën, nuk kanë më legjitimitet të kërkojnë zgjedhje, sepse nuk shkuan në vendin e duhur me personin e duhur për të folur për kërkesën e tyre për zgjedhje”, vlerëson analisti.
Ai për Gazeta Blic po ashtu thotë se Kurti s’po kërkon zgjedhje, por që po shprehet i gatshëm t’i mbajë ato nëse ka konsensus me opozitën, teksa thotë se në vjeshtë mund të ketë zgjedhje.
“Qëndrimi i kryeministrit ishte shumë i qartë, nëse ka konsensus mund të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, përndryshe ai s’po kërkon të shkojë në zgjedhje, s’po ofron dorëheqje, s’po kërkon që të shkarkohet, sepse e ka shumicën në Kuvend, ka mbi 60 deputetë, unë s’mendoj se ai ka kërkuar zgjedhje por opozita që e humbi shansin, vjeshta është opsioni që mund të kemi zgjedhje, ndoshta edhe tetori”, deklaron Raci.
Ai ka folur dhe për anëtarësimin e Kosovës në KiE, për çka thotë se ka dështuar BE dhe jo Kosova, duke vendosur kusht Asociacionin, që sipas tij është hipokrizi./Gazeta Blic/
Më poshtë intervista e tij e plotë:


