Lajme

“Opozita dështoi të formojë qeverinë për shkak të konflikteve të brendshme”

01/07/2026 19:16
nga:Genita C

Profesori Basri Muaj, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka folur për situatën pas zgjedhjeve të 28 shkurtit dhe për raportin mes partive opozitare në përpjekjet për formimin e qeverisë.

Ai theksoi se mosarritja e një marrëveshjeje mes partive opozitare ka qenë kryesisht për shkak të konflikteve të brendshme dhe përplasjes për pozitat udhëheqëse.

“Nuk kanë arritur të përbashkohen, edhe në bazë të shkurti për të formuar një qeveri të përbashkët, ku ata kishin mundësinë të qeverisnin për disa muaj, edhe për më tepër që kishin 52 deputetë shqiptar. Ne vazhdimisht e kemi kritikuar VV-në që pse nuk e bëri qeverinë me 48 deputetë, por ishte roli bllokues së pari i LDK-së, i cili e pengoi një marrëveshje të koalicionit. Pra, në vend që të dalin me një projekt të përbashkët dhe një vizion, ata kanë pasur më shumë luftë mes vete për pozitat udhëheqëse të partive opozitare”, tha Muaj.

Ai gjithashtu theksoi se partitë kanë vepruar kryesisht për interesat e tyre të brendshme, duke u përqendruar më shumë te fajësimi i njëri-tjetrit sesa tek interesat e përgjithshme të qytetarëve.

“Unë mund të them poashtu se të gjitha partitë interesin e tyre e kanë vendosur para interesit të përgjithshëm. Secila prej tyre ka pasur luftën më të madhe për të parë kush është fajtori për dështimin e mosmundësisë së konstituimit të institucioneve për 9 muaj, duke luajtur lojën e VV-së dhe duke e çuar në datën kur thuhet se duhet të konstituohej Kuvendi”, shtoi Muaj.

Profesori Muaj konsideron se konflikti i brendshëm i opozitës ka qenë faktor kryesor që ka penguar formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të shkurtit.