Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë pjesë sot në një mision kërkimi, për gjetjen e trupit të riut që ra të dielën në liqenin e Ujmanit.
Kjo ngjalli reagime të shumta, ku nga partia në pushtet u tha se FSK tashmë po shkon në veri.
E, nga KFOR thanë se është marrë autorizim nga ta, që FSK të zbarkojë në veri.
Por, sa është e drejtë të politizohet kjo çështje, derisa bëhet fjalë për një tragjedi, ku një i ri ka humbur jetën?
Ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, thotë për Gazeta Blic se politika duhet t’i ketë duart larg nga FSK-ja.
“Sa më pak që politika e prek FSK-në dhe sa më larg t’i mbajë duart nga Ushtria dhe Policisë, ata do të jenë më të shëndetshëm. Nuk është lajm kjo që po merr pjesë, por është lajm që ta nxjerrin trupin prej liqenit”, u shpreh ai.
Ai vlerëson se operacioni i tyre në Ujman është i rrezikshëm dhe se s’duhet krenuar me FSK-në vetëm kur iu duhen politikisht por duhet krijuar kushte.
“S’duhet të krenohemi me ushtarët veç kur na duhen politikisht. Sot krenohemi me ata ushtarë që po marrin pjesë në atë operacion. A e dini sa i rrezikshëm është ky operacion, pasi është në rrezik jeta e tyre, ndërsa ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor”, deklaroi ish koloneli Afrim Veseli për Gazeta Blic.
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë për Gazeta Blic se operacioni është legjitim dhe në koordinim me KFOR-in.
“Operacioni i zhvilluar së fundmi në liqenin e Ujmanit, me pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në bashkëpunim të ngushtë me misionin e KFOR-it, paraqet një angazhim legjitim dhe profesional në funksion të misionit të saj kushtetues për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve. FSK është e pajisur me mandat të qartë për operacione të kërkim-shpëtimit, reagim emergjent dhe asistencë në raste fatkeqësish natyrore, ndërsa pjesëmarrja e KFOR-it dëshmon për transparencën dhe koordinimin ndërkombëtar të këtij veprimi”, shprehet ai.
Por, sipas Shalës, deklarata politike lidhur me këtë operacion krijojnë tension artificial në terren dhe se mund të keqpërdoret nga Serbia.
“Megjithatë, deklaratat politike që e cilësojnë këtë operacion si “zbarkim të FSK-së në veri” kanë potencial të krijojnë tension artificial në terren dhe të deformojnë natyrën e operacionit, duke nxitur një narrativë të panevojshme për “militarizim” të veriut të Kosovës. Kjo lloj retorike mund të keqpërdoret nga aktorët destabilizues në rajon, veçanërisht nga qarqe të afërta me Beogradin zyrtar, për të ngritur pretendime të rreme për provokim apo shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka vlerësuar ai për Gazeta Blic.
Ai thekson se është e rëndësishme që veprimet janë kryer në koordinim me NATO-n dhe KFOR-in.
“Në raport me ndërkombëtarët, është e rëndësishme të theksohet se çdo veprim i FSK-së në këtë rast është kryer me koordinim dhe mbështetje të plotë të partnerëve të NATO-s dhe KFOR-it, duke shmangur çdo interpretim të njëanshëm”, ka deklaruar eksperti Drizan Shala./Gazeta Blic/
Kërkimshpëtimi në Ujman nga FSK-ja, Rama: S’është mirë të politizohet për fushata


