Mediat në Shqipëri sot gjatë ditës kanë raportuar se në kampin MEK të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit ka vdekur një person.
Ndërkaq, këtë gjë e mohojnë nga Ministria e Brendshme atje me anë të një njoftimi në të cilin thuhet se nuk ka as të vdekur dhe as të lënduar, kjo gjatë një operacioni të Policisë së Shtetit që është zhvilluar atje.
Ndër tjera, MB-ja thekson se Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me vendim që është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare.
“Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qenë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë”.
“Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet procedurale”, thuhet në njoftim.


