Opinion

“Open Balkan dhe ngarkesa historike”

08/03/2021 12:54
nga:Elton Tota

Pse Open Balkan mund të dështojë?

Shkruan: Elton Tota

E nënshkruar nga tre vende pjesmarrëse Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi – dhe me mungesën e tre të tjerave Mali i Zi, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë – iniciativa e nisur si Minishengeni Ballkanik, e ndryshuar në emërtim dhe e nënshkruar si Open Balkan, po ashtu e elaboruar me zë të lartë për mundësitë që do ti sjell rajonit mund të përfundojë pa rezultate konkrete.

Kjo iniciativë rajonale që të arrinte qëllimin e saj të vërtetë për një Ballkan të hapur, duhej të kishte jo vetëm pjesmarrjen e të gjitha vendeve por edhe vullnetin për ta kthyer zotimin në realitet. Në fakt, kjo iniciativë si rrallëherë të tilla në Ballkan jo vetëm që nuk u mbështet, por majde që në fillimin e saj u kundërshtua nga tre shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kundërshtimi i kësaj nisme sëbashku më arsyet bashkangjitur e dha mesazhin e qartë – se së pari e kaluara e errët e Ballkanit nuk harrohet dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor ende nuk besojnë tek njëri – tjetri, (ende jo në ato përmasa sa për tu bashkuar në një treg të përbashkët).

Kundërshtimi i kësaj nisme e përçoi mesazhin edhe tek BE-ja se ajo vazhdon të mbetet destinacioni i vetëm dhe final i tyre ku ata besojnë, si dhe njëkohësisht i rikujtoi BE-së se në Ballkan ka nevojë për angazhim akoma më të madh dhe ka shumë punë për tu bërë. ‘Open Balkan’ e përçoi mesazhin se plagët e luftës dhe roli i vazhdueshëm destabilizues i Serbisë në rajon nuk harrohen dhe se këto vende kanë vendosur që këtë fakt të mos e tolerojnë, të mos e anashkalojnë dhe as ta aprovojnë përmes nënshkrimit të çfarëdo lloj iniciative që mund të paraqitet. Mesazhi për BE-në është i qartë, Ballkani Perënimor ka nevojë për vëmendje.

Pjesë e ‘Open Balkan’ nuk u bë Kosova, pikërisht vendi i cili ka përjetuar luftën vazhdon të vuajnë pasojat e saj si dhe fushatën e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përzierjet në punët e brendshme, mosnjohjen si shtet, fushatën për ç’njohje ndërkombëtare, mos pranimin e krimeve të luftës, mos kërkim faljen, mos ndriçimi i fatit të personave të pagjetur të luftës, mos dëmshpërblimin e dëmeve të luftës, mos respektimin e asnjë marrëveshje të arritur deri më sot, dëshirën, deklaratat dhe përpjekjet e hapura dhe faktike për ndarjen e Kosovës. Të njëjtën qasje destruktive, me tendenca të vazhdueshme për ndikim, destabilizim dhe ndarje, Serbia e ndjek në vazhdimësi edhe ndaj dy shteteve të tjera refuzuesese të kësaj nisme Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi.

‘Të lëmë pas të kaluarën, të bashkohemi dhe të punojmë për të ardhmen’ ishte mesazhi i shprehur në ditën e nënshkrimit të ‘Open Balkan’. Por, e kaluara nuk mund të harrohet dhe të lihet pas, dhe as të pranohet e formalizohet me nënshkrime në forume. Inciativat e sinqerta të bashkëpunimit gjithmonë mbështeten në qëllime të sinqerta, dhe në pjesmarrje të barabartë. Open Balkan nuk mund të shërbeje si e tillë përderisa ngarkesat historike qëndrojnë mbi popujt e ballkanit.

‘Open Ballkan’ dëshmoi që e kaluara nuk harrohet dhe as kapërcehet por ajo duhet të njihet dhe të pranohet. ‘Open Balkan’ na rikujton sot që pikërisht për të njëjtat arsye dhe mosbesim reciprok në vazhdimësi është sfiduar edhe zbatimi i CEFTA-s si marrëveshje ekzistuese ekonomike rajonale ku këto vende bëjnë pjesë dhe – që në fakt promovon të njëjtin objektiv tregun e përbashkët rajonal. Rrjedhimisht, çdo lloj bashkëpunimi i ofruar në Ballkanin Perëndimor sado i mirëseardhur që është, ai mund të vazhdojë të mbetet i kufizuar, i stigmatizuar, i goditur nga ndjenjat e mosbesimit reciprok dhe peng i zgjidhjes së çështjeve të mbetura pezull.

E vetmja shpresë për të ndikuar në një integrim më të thellë rajonal mbetet që kjo të arrihet përmes mekanizmave ekzistues të integrimit evropian – Procesit të Stabilizim Asocimit si dhe të iniciativës së Gjermanisë përmes Procesit të Berlinit. Sado të kritikueshëm dhe të ngadalshëm qoftshin BE-ja, nganjëhere edhe të padrejtë në qasjen e tyre në raport me vende të caktuara të Ballkanit perëndimor (si në rastin e mos-liberalizimit të vizave për Kosovën apo mos hapjes së negociatave te anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut) po dëshmohet që BE mbetet rruga e vetme e integrimit.

BE-ja në fund të fundit në MSA-të me vendet e Ballkanit perëndimor e ka kusht bashkëpunimin rajonal dhe nxitjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore, madje Serbisë (ndryshe nga nisma ‘Open Balkan’) si kusht për mbylljen me sukses të negociatave të anëtarësimit i kërkon shprehimisht përmirësimin e raporteve fqinjësore me Kosovën.