Lajme

OKB: Rusia fajtore për rrëzimin e MH17, tragjedia ajrore e vitit 2014

05/13/2025 13:00
nga:Sh R

Rusia është shpallur zyrtarisht përgjegjëse për rrëzimin e aeroplanit të Malaysia Airlines, fluturimi MH17, që u rrëzua mbi Ukrainën lindore në vitin 2014, duke shkaktuar vdekjen e 298 pasagjerëve.

Këtë e ka bërë të ditur Këshilli i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), pjesë e OKB-së, duke thënë se Rusia ka shkelur rregullat ndërkombëtare të aviacionit dhe ka përdorur armë kundër një aeroplani civil në fluturim, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.

Aeroplani ishte nisur nga Amsterdami drejt Kuala Lumpurit, kur u godit nga një raketë e prodhuar në Rusi, në zonën e konfliktit mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Në mesin e viktimave ishin 196 holandezë, si dhe udhëtarë nga Australia, Britania, Belgjika dhe Malajzia.

Australia dhe Holanda, që e kishin çuar këtë rast në OKB, kanë përshëndetur vendimin e ICAO-s.

Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, i bëri thirrje Rusisë të pranojë përgjegjësinë dhe të paguajë dëmshpërblime.

Edhe ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, e quajti këtë një hap të madh drejt së vërtetës dhe drejtësisë.