Lajme

OKB ngre alarmin për klimën: Pasojat do të jenë katastrofike për njerëzit dhe planetin

09/16/2021 16:20
nga:Y I

Pa e fshehur shqetësimin, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i kërkoi vendeve te nisin menjëherë reduktimin e shpejtë e në shkallë të gjerë të emetimit të gazrave shkaktare të efektit serë.

Është e nevojshme që të shmanget katastrofa klimatike, u shpreh ai i alarmuar. Thirrja e Guterres vjen përpara samitit të klimës që nis muajin e ardhshëm në Glasgou të Skocisë. Në një raport të hartuar nga një sërë agjencish të Kombeve të Bashkuara për çështjen e klimës thuhet se ndryshimet klimatike dhe ndikimet e saj po përshpejtohen.

“Këto ndryshime janë vetëm fillimi i të keqes që pritet të vijë. Qeveritë duhet të përmbushin objektivat që dalin nga marrëveshja e klimës e arritur në Paris në 2015. Nëse nuk ka reduktime të menjëhershme të gazrave serë, pasojat do të jenë katastrofike për njerëzit dhe planetin.”

Marrëveshja në fjalë bën thirrje për të kufizuar ngrohjen globale nën 2 gradë Celsius mbi nivelin paraindustrial, dhe aq më mirë nëse kjo mund të ulet afër 1.5 gradë Celsius.

Shefi i OKB-së tha se asnjë vend nuk është i sigurt nga fatkeqësitë natyrore dhe për këtë mori shembull motin ekstrem dhe uraganët vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara, përmbytjet në Europën Perëndimore dhe valët e nxehtësisë në rajonin e Paqësorit.