Lajme

OKB-ja miraton rezolutën për anëtarësimin e Palestinës, SHBA do të vendos veto në Këshillin e Sigurimit

05/10/2024 18:08
nga:Sh R

Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) që i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të kësaj organizate të rishqyrtojë anëtarësimin e Palestinës në OKB, u miratua sot (e premte), me 143 vota pro, nëntë vota kundër dhe 25 abstenime.

Rezoluta i bën thirrje Këshillit të Sigurimit që ta “rishqyrtojë çështjen me prioritet dhe në mënyrë pozitive” ndërsa thekson që Autoriteti Palestinez të pranohet në OKB, duke thënë se “Shteti i Palestinës është i kualifikuar për anëtarësim në Kombet e Bashkuara”.

Përpara fillimit të sesionit të OKB-së, Misioni i SHBA-së në OKB tregoi se nëse rezoluta miratohej dhe aplikimi për anëtarësim dërgohej në Këshillin e Sigurimit, SHBA-të do të vendosnin përsëri veto ndaj saj, duke thënë se “ne presim një rezultat të ngjashëm me atë që ndodhi në muajin prill”, raporton cnn.

Misioni amerikan tha se Autoriteti Palestinez nuk i plotëson kriteret për anëtarësimin në OKB dhe se rezoluta nuk zgjidh shqetësimet e ngritura më parë në lidhje me anëtarësimin palestinez.

Në muajin prill, Autoriteti Palestinez ridërgoi kërkesën për anëtarësim dhe më vonë atë muaj, SHBA vuri veto ndaj përpjekjes palestineze për të arritur statusin e anëtarësimit.

Votimi në Këshillin e Sigurimit pa 12 anëtarë pro dhe një kundër, përveç vetos së SHBA. Izraeli lavdëroi veton e SHBA-së, duke e quajtur ofertën palestineze një “propozim të turpshëm” ndërsa presidenca e Autoritetit Palestinez e quajti veton “të padrejtë, imorale dhe të pajustifikuar”.

Në shtator të vitit 2011, Autoriteti Palestinez nuk arriti të fitonte njohjen e OKB-së si një shtet anëtar i pavarur. Një vit më vonë, OKB-ja vendosi që statusi i “entitetit vëzhgues jo-anëtar” të Autoritetit Palestinez do të ndryshohej në “shtet vëzhgues jo-anëtar”, ngjashëm me Vatikanin.