Sporti

Ofertë 200 milionë euro për 16-vjeçarin Yamal, “tronditet” Barcelona

03/09/2024 17:14
nga:E K

Lamine Yamal është talenti i radhës që po rritet te Barcelona. 16-vjeçari shënoi një gol shumë të bukur përballë Mallorcas, që i mjaftoi skuadrës së Xavit të merrte tri pikët.

Sulmuesi i djathtë po luan sezonin e dytë me katalanasit pavarësisht moshës së re, ndërkohë që në gjurmët e tij është vënë PSG. Kampionët e Francës e pëlqejnë shumë adoleshentin.

Dhe janë gati të ofrojnë 200 mln euro për kartonin e tij! Presidenti Al-Khelaifi dëshiron të bëjë një goditje të madhe pasi të largohet Kylian Mbappe (Real Madrid).

Për momentin, Joan Laporta i ka dhënë një “jo” të prerë Jorge Mendes, agjentit të Yamal, në momentin që portugezi e njoftoi për ofertën që do të paraqesin sheikët e PSG-së.

Por, 200 mln euro janë shumë, sidomos për Barcelonën që prej vitesh po vuan në aspektin ekonomik. Nëse realizohet ky transferim, 16-vjeçari do të shndërrohej në futbollistin e dytë më të shtrenjtë në histori.

Vendin e parë e mban Neymar, me brazilianin që u transferua për 222 mln euro në 2017. Pikërisht nga Barcelona te PSG…