Analisti politik Azdren Shala ka deklaruar se Aleanca e ka kuptuar, sipas tij, qasjen politike të kryeministrit Albin Kurti dhe se oferta për t’i dhënë votat në Kuvend lidhet më shumë me një strategji politike sesa me një mundësi reale për marrëveshje.
Shala për GazetaBlic tha se Aleanca po e sheh se Kurti nuk është i gatshëm për marrëveshje dhe zgjidhje të problemeve, duke vlerësuar se kushtet e vendosura nga kjo parti janë të papranueshme për kryeministrin.
“Unë besoj që Aleanca, përveçse konstruktive prej partive aktualisht në skenën politike në Kosovë, e ka kuptuar më së shumti këtë lojën e Kurtit. Tani e dinë që Kurti nuk do marrëveshje, nuk do zgjidhje të problemeve”, ka thënë Shala.
Ai ka vlerësuar se deklaratat e Aleancës për gatishmërinë për t’i ofruar shtatë votat e saj në Kuvend, nëse plotësohen disa kushte, janë pjesë e një strategjie politike.
“Po e luajnë edhe këtë lojën e propagandës, në kuptimin që: ne jemi gati me t’i dhënë votat tona, ato që i kemi shtatë në parlament, nëse plotësohen disa kushte”, është shprehur ai.
Sipas Shalës, drejtuesit e Aleancës e dinë se disa prej këtyre kushteve nuk do të pranohen nga Kurti, duke përmendur si shembull çështjen e furnizimit me gaz.
“Kush e njeh pak Kurtin si profil politik, sidomos kjo puna e gazit, për Kurtin përjetësisht diskualifikohet nëse e pranon kushtin e AAK-së, që gazi të merret nga Shkupi”, ka deklaruar Shala.
Ai shtoi se e sheh këtë situatë si një përgatitje të Aleancës për skenarin zgjedhor.
“Aleanca është tash në lojën e propagandës, sepse ata po e kuptojnë situatën dhe po bëhen gati për zgjedhje. Unë e lexoj kështu situatën”, ka përfunduar Shala.


