Lajme

Oferta për diasporën/ Lekaj: Tallje dhe idiotësi politike, Kurti tradhtoi mërgatën – ajo s’do t’ia falë

07/15/2024 20:51
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë ofertë mërgimtarëve që të investojnë në Kosovë, derisa u ka thënë se ua garantojnë kreditë.

Lidhur me këtë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një prononcim për Gazeta Blic thotë se Kurti ka tradhtuar mërgatën dhe shkeli besimin që ajo ia dha.

“Kryeministri Kurti ka tradhtuar mërgatën e Kosovës, pasi shkeli besimin e tyre nga fillimi e deri tani në përfundim të mandatit si udhëheqës i Kosovës. Diaspora jonë që jetojnë gjithandej vendeve të botës, e përkrahën me të gjitha mënyrat, duke e besuar që ai do të zhvillonte mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin ekonomik, rritjen e vendeve të punës, sektorin e shëndetësisë, krijimin e bizneseve, sektorin e energjisë, kushtet e punës në sektorin privat, bashkimin me Shqipërinë, etj. Realisht ndodhi e kundërta ku z.Kurti nuk realizoi as 10 % të premtimeve të zotuara dhe kështu i tradhtoi e zhgënjeu në besim e votën që ja dhanë”, shprehet ai.

Deputeti vlerëson se oferta e Kurtit për diasporën është tallje ndaj tyre, derisa shton se në këtë mënyrë ai dëshiron t’i mashtrojë

“Ideja dhe oferta që kinse Qeveria Kurti po ju ofron kredi mërgatës, është tallje dhe idiotësi politike ndaj vëllezërve dhe motrave që jetojnë në mërgim. Me këtë ai po do që t’i mashtrojë prapë, por është e kotë sepse ata janë të zhgënjyer dhe nuk do t’i besojnë më”, potencon Lekaj për Gazeta Blic.

Sipas tij, oferta mund të shihet po ashtu për të fituar pikë politike.

“Kjo ofertë mund të shihet gjithashtu si një lëvizje politike për të fituar pikë politike dhe për të shmangur problemet reale që kanë bizneset ekzistuese në Kosovë”, shton deputeti për Gazeta Blic.

Lekaj shton se vendi ka nevojë për reforma të thella ekonomike dhe institucionale për të pasur një ambient të favorshëm për bizneset.

“Realisht, vendi ka nevojë për reforma të thella ekonomike dhe institucionale që të krijojnë një ambient të favorshëm për bizneset ekzistuese dhe të reja, pavarësisht nga origjina e investitorëve. Garantimi i kredive është një masë e pjesshme dhe mund të mos jetë e mjaftueshme për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, deklaron ai.

Krejt në fund, ai thotë se Kurti mos të kalkulojë shumë pasi është vonë dhe diaspora nuk do ta falë.

“Në përgjithësi, Kryeministri mos të kalkulojë shumë sepse është vonë. Diaspora e Kosovës për dështimet në qeverisje nuk do ta falë dhe ashtu siç e ngriti, njëjtë do ta rrëzojë nga karrigia e Kryeministrit”, përfundoi deputeti i AAK-së, Pal Lekaj./Gazeta Blic/

 

Kurti me ofertë për mërgimtarët pronarë biznesesh që duan të investojnë në Kosovë: Ua garantojmë kreditë