Sporti

FBK merr vendim drastik: Bllokohet pjesëmarrja e tifozerive të organizuara në “Final8”

02/10/2022 15:29
nga:Mergim Rreci

Pas vlerësimit të situatës së krijuar gjatë ndeshjeve të datës 09.02.2022, dhe konsultimit me autoritetet kompetente, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka marrë vendim që ndeshjet gjysmëfinale dhe ato finale të Final 8 Kupës së Kosovës që është duke u organizuar në Pejë të mos lejohet pjesëmarrja e tifozerive të organizuara.

FBK ka qenë e detyruar ta marrë këtë vendim pasi në ndeshjet e para çerekfinale tifozët e organizuar nuk i kanë respektuar masat në fuqi të Qeverisë së Republikës së Kosovës për anti-Covid19, e që janë mbajtja e maskës dhe distanca fizike edhe pas tërheqjes së vërejtjes nga personat përgjegjës të angazhuar për siguri dhe Policisë së Kosovës, transmeton GazetaBlic Sport.

Duke qenë se grupet e tifozëve të pranishme në palestrën “Karagaçi” nuk iu bindën urdhrave për bartje të maskës dhe sigurim të distancës fizike, duke pamundësuar kësisoj respektimin e masave nga organizatori dhe Federata, në palestër prej ndeshjeve gjysmëfinale e deri te ato finalet në të dyja konkurrencat do të lejohen vetëm shikuesit e vaksinuar që nuk vijnë në mënyrë të organizuar dhe që zotohen të respektojnë masat në fuqi për anti-Covid19.