Lajme

OBSH: Rastet me COVID-19 në rënie

04/22/2022 09:20
nga:Astrit Gashi

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se norma globale e rasteve me COVID-19 ka vazhduar të ulet gjatë muajit të fundit.

Në raportin javor që publikon organizata, tregohen të dhënat globale të rasteve për periudhën 11-17 prill.

Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe në mbarë botën janë regjistruar 5.5 milionë raste me COVID-19, ndërsa 18 215 persona kanë vdekur për shkak të virusit.

Norma globale e rasteve ka pësuar një rënie prej 24 për qind në krahasim me një javë më parë dhe rënia në rastet globale ka vazhduar që nga java e fundit e marsit.

Në krahasim me shtatë ditët e mëparshme, ulja më e madhe e rasteve është vërejtur në rajonin e Paqësorit Perëndimor me 28 për qind, ndërsa ulja më e vogël është regjistruar në rajonin e Amerikës Jugore dhe atë Veriore për vetëm 2 për qind.