Lajme

OBSH paralajmëron: Alkooli shkakton mijëra raste kanceri, Europa më e rrezikuara

10/14/2025 18:26
nga:Y I

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin se alkooli është shkaku kryesor i mijëra rasteve me kancer në të gjithë botën.

Studimi i ri ka faktuar se Europa është më e kërcënuara, pasi njihet si rajoni me konsumin më të lartë të alkoolit për banorë.

Të dhënat e mbledhura nga raporti i fundit, i hartuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit, treguan se në vitin 2020 janë regjistruar rreth 741,300 raste të reja kanceri në botë që lidhen drejtpërdrejt me konsumimin e alkoolit. Kjo përfaqëson 4.1% të të gjitha rasteve të reja të kancerit globalisht, ku 6.1% ishin raste tek burrat dhe 2% tek gratë.

Ndërkohë, vetëm në Bashkimin Evropian, alkooli shkaktoi mbi 111,000 raste të reja kanceri në vitin 2020, përfshirë kancerin kolorektal, të gjirit dhe të gojës. Rreth 70% e këtyre rasteve ishin tek burrat.

Kostoja ekonomike e vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet tumorale të lidhura me alkoolin në BE në vitin 2018 arriti në 4.58 miliardë euro, ndërkohë që kosto të tjera sociale dhe shëndetësore arrijnë në dhjetëra miliarda.

Shkenca tashmë ka faktuar se alkooli është shkaktar i të paktën shtatë llojeve të kancerit dhe nuk ka nivel konsumimi të sigurt. Për këtë arsye rekomandohen politika që ulin konsumimin, të cilat do të pasonin edhe me ulje të rrezikut për kancer.

Ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit, të mbështetur nga studime ndërkombëtare, kanë vlerësuar se politikat e forta si rritja e taksave, kufizimi i aksesit dhe ndalimi i marketingut të alkoolit janë ndër masat më efektive për uljen e konsumit të alkoolit dhe për rrjedhojë, për uljen e numrit të kancerëve.

Zbatimi i këtyre politikave ka treguar se mund të japë rezultate brenda pesë vjetësh, duke shpëtuar jetë dhe duke kursyer para për shoqëritë. Ekspertët thonë se dyfishimi i taksave mbi alkoolin mund të parandalojë deri në 6% të rasteve të reja dhe vdekjeve nga kanceri të lidhura me alkoolin në Rajonin Evropian të OBSH-së.