Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se 700.000 vdekje të reja nga Covid-19 mund të regjistrohen deri në mars në Evropë dhe në disa pjesë të Azisë.
Shifra e të vdekurve tashmë është në mbi 1.5 milion në 53 shtetet që Organizata Botërore e Shëndetësisë i cilëson si rajon i Evropës, shkruan BBC.
OBSh-ja paralajmëroi për trysni të lartë ose ekstreme në repartet e kujdesit intensiv në spitalet e 49 shteteve të rajonit të Evropës deri në marsin e vitit të ardhshëm.
Evropa po përballet me rritje të numrit të rasteve me Covid-19, duke e nxitur Austrinë që të kthehet në izolim, ndërsa vendet tjera po shqyrtojnë hapa për ashpërsimin e masave kufizuese.
Disa shtete – përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Greqinë – së shpejti mund ta bëjnë dozën përforcuese të kërkuar për qytetarët e tyre në mënyrë që ata të cilësohen si persona plotësisht të vaksinuar.
“Vdekjet e përgjithshme të raportuara janë parashikuar të shkojnë në mbi 2.2 milionë deri në pranverën e vitit të ardhshëm, duke u mbështetur në trendet e tanishme”, tha OBSh-ja të martën.
Vdekjet e konfirmuara të lidhura me Covid-19 së fundi janë dyfishuar në rajonin evropian në gati 4.200 në ditë, thuhet në deklaratë. Vetëm në Rusi, shifra ditore e viktimave së fundi ka qenë rreth 1.200.