Lajme

OBSh-ja: E tërë bota duhet të vaksinohet për t’i ndalur variantet e Covidit

10/23/2021 16:12
nga:M K

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të shtunën se e tërë bota duhet të vaksinohet për ta ndalur zhvillimin e varianteve të reja të Covidit.

Në një intervistë për “Times Radio”, zëdhënësja e OBSh-së, Margaret Harris, tha:

“Ajo që vërtet do të ketë një efekt në përhapje për të gjithë ne është që të sigurohemi që të ketë sa më pak virus në qarkullim përreth botës. Grupet me prioritetin më të lartë janë ato që ekspozohen ndaj virusit tërë kohën, punëtorët shëndetësorë, por prapë vetëm një në dhjetë persona është i vaksinuar në Afrikë tash për tash.”

“Jemi në pozitë të keqe në një pjesë të madhe të botës, do të shohim më shumë variante duke u zhvilluar, do të shohim më shumë përhapje dhe edhe nëse në mënyrë magjike vaksina do të mbronte një popullsi me aq efikasitet sa kemi shpresuar, atëherë një variant mund të zhvillohet dhe ta zhbëjë tërë atë punë”, shtoi Harris.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se vetëm vaksinat nuk do të mund ta nxjerrin botën nga pandemia, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Problemi është te përqendrimi në një gjë. Vaksina nuk do të na nxjerr nga kjo. Ne vërtet duhet të marrim masa të tjera. Duhet të jemi seriozë për të mos u bërë turmë. Ende duhet ta shikojmë përdorimin e maskave, sidomos kur jemi në mjedis të brendshëm”, tha zëdhënësja e OBSh-së.