Lajme

O’Brien tregon se çfarë bisedoi me Kurtin

10/21/2024 21:46
nga:G B

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për përparimin ekonomik të vendit dhe mundësitë për integrim më të shpejtë në Evropë.

Kështu të paktën bëri vetë të ditur O’Brien në një intervistë në Kanal10, ku theksoi rëndësinë që Kosova të mos anashkalohet në garën për investime dhe të bëhet pjesë e diskutimeve që po zhvillohen nga vende të ndryshme për këtë çështje.

“Ballkani Perëndimor ka mundësi të arta për të integruar ekonominë e vet, por edhe për t’iu bashkuar tregut të njësuar evropian, që shkon me planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor, i cili ofron mundësi për të tregtuar me energji, me mallra dhe shërbime të ndryshme në tërë Evropën. Ky është motori që e shtyn rritjen e ekonomisë në mënyrë dramatike, andaj më vjen shumë mirë që Kosova është bërë pjesë e këtij komuniteti”, ka thënë O’Brien.

O’Brien po ashtu diskutoi për përparimin në integrimin e serbëve në Kosovë, duke theksuar se është e rëndësishme të arrihen përmirësime në sigurinë dhe integrimin e qytetarëve në veri, veçanërisht të komunitetit serb.

“Biseduam se si të ecet më shpejt drejt Evropës. E dijmë se po arrihet përparim në integrimin dhe risigurimin e qytetarëve në veri, veçanërisht komunitetit serb, prandaj diskutuam për qasje të ndryshme, të cilat mund të ndërmerren”, ka shtuar ai.

Në një postim në Facebook, Kurti e përshkroi këtë takim si një mundësi për të diskutuar për më shumë se dy orë mbi marrëdhëniet dypalëshe. Në postimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe përmendi sfidat që paraqet Serbia, e cila vazhdon të shmangë nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj të zbatimit.

“Vizita e tij e parë në Kosovë në detyrën e re, u bë në takimin tonë të dytë brenda më pak se një muaji.

Me Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien diskutuam për më shumë se dy orë për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat mund të thellohen edhe më shumë raportet e ngushta ndërmjet dy vendeve tona, pastaj për bashkëpunimin rajonal dhe për Marrëveshjen Bazike dhe aneksin e zbatimit të cilave po i shmanget Serbia duke mos i nënshkruar dhe shkelur ato vazhdimisht.

Shteteve të Bashkuara të Amerikës i jemi gjithmonë mirënjohës për rolin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit tonë, dhe për bashkëpunimin e afërt që kemi në sektorë kyç për zhvillimin e vendit, si ai i energjisë, ekonomisë, financave, sigurisë e mbrojtjes”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërkaq, në këtë intervistë O’Brien ka folur edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

O’Brien theksoi se, megjithëse ndodhin herë pas here mospajtime mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-ve, këto janë normale në marrëdhëniet mes miqve.

“Herë pas here kemi mospajtime, por kjo ndodh mes miqve. Duam që të kemi më shumë koordinim kur ndërmerren veprime, veçanërisht kur ato veprime mund të përfshijnë trupat e NATO-s në KFOR apo në veri. Gjithashtu dëshirojmë që të kemi më shumë diskutime para se të ndërmerret një veprim i tillë”, ka thënë ndër të tjera O’Brien.