Lajme

Obeziteti si faktor për zhvillimin e disa llojeve të kancerit/ Onkologët tregojnë rrezikun dhe pasojat

06/03/2024 16:31
nga:N K

Obeziteti tashmë prej disa vitesh përkufizohet si një sëmundje kronike, që karakterizohet nga shtimi i tepërt i masës dhjamore me pasoja në shëndetin e individit. Obeziteti po konsiderohet si shkak për zhvillim e disa llojeve të kancereve tek meshkujt dhe femrat.

Lidhur me këtë, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua onkologu Faton Sermaxhaj, i cili tha se obeziteti është një faktor rreziku për shfaqjen e disa llojeve të kancereve, mirëpo kjo lidhje ende nuk është shumë e qartë.

“Rreth 4-8% të të gjitha kancereve i atribuohen obezitetit. Obeziteti është faktor rreziku për kanceret e gjirit postmenopausal, kancerin kolorektal, endometrial, ezofageal, pankreasit, mëlqisë dhe vezikës felle. Lidhja në mes të obezitetit dhe rrezikut për paraqitjen e kancerit ende nuk është krejtësisht e qartë, por tashmë dihet se janë të involvuara procese metabolike të acideve yndyrore, sekretim i adipokineve dhe hormoneve te ndryshme, çrregullim i sistemit imun dhe inflamacionet kronike”, deklaroi ai.

Tutje, ai tregon rolin që luajnë nivelet e hormoneve të tilla si estrogeni në lidhjen midis obezitetit dhe kancerit të gjirit.

“Rreth 8 prej 10 pacientëve me kancer të gjirit kanë receptorë hormonal pozitiv për estrogjen, që do të thotë se këto tumore janë të varura nga estrogjeni. Estrogjeni gjendet normalisht tek organizmi i femrave dhe luan rol të madh në shumë procese normale. Zakonisht gjendet në organe si: ovaret (gjatë periudhës reproductive të femrës), gjëndrat mbiveshkore dhe indi adipoz (dhjamor). Personat obez kanë më të shprehur indin adipoz dhe si rrjedhojë kanë sasi më të madhe të estrogjenit në qarkullim dhe kjo e rrit rrezikun për shfaqje të kancerit tek këta persona”, tha ai.

Po ashtu, ai tregon ndryshimin e rrezikut të zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë tek persona me obezitet, krahasuar me ata me peshë normale.

“Tani ka shumë të dhëna të cilat tregojnë që personat obez (me mbipeshë) kanë rrezik më të lartë për t’u prekur nga kanceri, se sa personat me peshë normale. Obeziteti përveç që e rrit rriskun për paraqitjen e kancerit, po ashtu rrit edhe mundësinë për rikthim të sëmundjes tek personat e diagnostikuar me tumore si dhe rrit vdekshmërinë tek pacientët pas trajtimit”, potencoi ai.

Më tej, onkologu Sermaxhaj tregon për strategjitë më efektive për të zvogëluar rrezikun e kancereve të ndryshme dhe atij të zorrës së trashë tek persona me probleme obeziteti.

“Strategjia më e mirë për të zvogëluar rrezikun e paraqitjes së kancerit tek pacientët obez është menaxhimi i peshës së tyre trupore. Përshtatja e ushqimit, aktiviteti fizik i vazhdueshëm si dhe eliminimi i çrregullimeve eventuale metabolike”, theksoi ai.

Për në fund, onkologu përmend moshat që preken më shumë nga kanceret e ndryshme shkak i obezitetit dhe arsyet.

“Zakonisht preken moshat më të shtyra, sepse edhe vet sëmundjet malinje janë më të shprehura në këtë moshë, por edhe obeziteti është një dukuri që shfaqet më tepër në moshën e mesme dhe të shtyrë”, përfundoi onkologu Faton Sermaxhaj.

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua edhe specialisti i onkologjisë, Arben Bislimi, ku tha se pothuajse të gjitha evidencat sugjerojnë një lidhje mes obezitetit dhe riskut për kancer.

“Sipas studimeve të fundit obeziteti shoqërohet me mbi 500,000 raste të reja kanceri në vit në mbarë botën. Analiza e të dhënave ka treguar që shtimi i madh në peshë shoqërohet me rritje prej 5.4 % të rasteve të reja me kancer tek femrat dhe 1.9 % tek meshkujt”, deklaroi ai.

Bislimi tregon për kanceret tek femrat dhe meshkujt dhe zhvillimin e tyre nga obeziteti.

“Tek femrat, kanceri post menopauzal i gjirit, kanceri i endometrit (mitrës), dhe ai i zorrës së trashës përbëjnë rreth 3.4 % e kancereve të lidhur me obezitetin”, tha ai.

“Ndërsa tek meshkujt, kanceri i mushkerive dhe ai i zorrës së trashë përbëjnë mbi 3 % e kancereve të lidhura me mbipeshën. Kjo rritje e përqindjes së kancereve të lidhur me mbipeshën është më e shprehur në vendet e zhvilluara (8%), krahasuar me vendet në zhvillim (1.5%)”, vazhdoi tutje ai.

Po ashtu, ai tregon për faktorët ndikues në zhvillimin e kancereve nga obeziteti.

“Obeziteti është një faktor për zhvillimin e disa llojeve të kancerit, sidomos tek femrat obeze edhe nëse ato janë në një moshe të re. Ndoshta mund të ketë një rol në karcinogjenezë, d.m.th procesin e transformimit të një qelize normale në qelizë neoplazike përmes ndikimit të faktorëve onkogjene”, potencoi ai.

Për në fund, onkologu Bislimi tregon për hapat më të rëndësishëm që mund të ndërrmerren për të ulur rrezikun për t’u prekur nga kanceri.

“Shumë gjëra lidhen me kancerin, por shmangia e përdorimit të duhanit dhe mbajtja e një peshe të shëndetshme janë dy nga hapat më të rëndësishëm për të ulur rrezikun nga kanceri. Të qenit, mbipeshë ose obeziteti nuk do të thotë që dikush patjetër do të sëmuret nga kanceri. Por kjo do të thotë se ata kanë më shumë gjasa të preken nga kanceri sesa nëse mbajnë një peshë të shëndetshme”, përfundoi onkologu Arben Bislimi./Gazeta Blic/