Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që në mbledhjen e sotme të Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë, të bëhen lehtësime, ashtu siç kanë vepruar vendet e rajonit dhe më gjerë, duke liruar masat.
OAK kërkon që përmes vendimit të ri të largohet ora policore dhe të mos ndalohet dhe kufizohet ushtrimi i veprimtarisë për bizneset, duke thënë se kapaciteti i shtetit për përkrahje financiare të këtyre të fundit është tejet i kufizuar.
“Ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë tek sektorët e caktuar po ndikon edhe në mirëqenien e përgjithshme shoqërore, marrë parasysh faktin që bizneset të cilat nuk funksionojnë e kanë të pamundur të paguajnë pagat e stafit për periudhën që janë të mbyllur, qiratë dhe kreditë. Në këtë mënyrë, personat të cilët punojnë në sektorët të cilëve u ndalohet apo kufizohet ushtrimi i veprimtarisë, po mbesin të pa punë e gjithashtu pa të ardhura për të njejtën periudhë kohore, ani pse një pjesë e bizneseve po tentojnë që të paktën të ju bëjnë një kompensim të pjesshëm”.
Përveç kësaj, Oda thotë se bizneseve të cilat e kanë të ndaluar ushtrimin e veprimtarisë në mënyrë të plotë, apo të pjesshme, me 70, 50 apo 30 përqind të kapacitetit, siç është sektori i gastronomisë, po u shkaktohen edhe dëme tjera financiare, pasi që produktet që ata përdorin janë me afat të shkurtë skadence.
“Kufizimi i ushtrimit të veprimtarisë të sektorit të gastronomisë po dëmton një zinxhirë të bizneseve të sektorëve të ndryshëm, duke përfshirë këtu prodhuesit e produkteve ushqimore siç janë pijet, ushqimi, mobilieritë, organizuesit e eventeve etj”.
“OAK në vazhdimësi kërkon nga komuniteti i biznesit që të respektohen masat e vendosura nga institucionet vendore, mirëpo, njëkohësisht, kërkon edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës që masat të jenë lehtë të zbatueshme, inspektorët të kontrollojnë bizneset të cilat bëjnë shkeljen e tyre e gjithashtu të ofrohet përkrahje financiare për bizneset e prekura nga masat. OAK konsideron që lirimi i masave do të ndikoj pozitivisht në mirëqenjen e shoqërisë në përgjithësi, e gjithashtu edhe komuniteti i biznesit”.
Rekomandohet heqja e maskës në ambientet e jashtme dhe përgjysmimi i orës policore


