Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, më 22 nëntor ka nënshkruar dy udhëzime për ndërtimet pa leje në Kosovë.
Në njoftimin e lëshuar nga kjo ministri thuhet se përmes këtyre udhëzimeve qartësohen më tej kërkesat për trajtimin e ndërtimeve pa leje të Kategorisë I dhe II.
Këto dy udhëzime administrative janë hartuar nga grupet punuese të themeluara nga MMPHI, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe nga përfaqësues të nivelit komunal.
“Në këtë proces, grupet punuese janë mbështetur edhe nga USAID – Programi për Qeverisje Ekonomike. Udhëzimet Administrative hyjnë në fuqi 7 ditë, pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Udhëzimin Administrativ MMPHI Nr. 02/2021 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ MMPH Nr. 05/2019 për Procedurat e Ankesave Kundër Vendimeve për Trajtimin e Ndërtimeve Pa Leje – https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=17767. Udhëzimin Administrativ MMPHI Nr. 03/ 2021 për Kërkesat Themelore për Shëndet dhe Siguri, Procedurat dhe Dokumentacionin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje të Kategorisë I dhe II – https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=17767”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Kjo ministri edhe në vitin 2019 kishte nxjerrë pesë udhëzime administrative për trajtimin e objekteve pa leje në Kosovë.