Lajme

Nura: Është ‘pikëpyetje e madhe’ nëse do të ketë drejtësi dhe gjykim të drejtë në Hagë

04/03/2023 12:52
nga:G B

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, e ka vlerësuar si të padrejtë dhe të panevojshme gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Ndërsa, për gjykimin e sotëm në Hagë, Nura ka thënë se e presin epilogun e ngjarjes që do të vijojë.

Sipas tij, deri tashmë është “pikëpyetje e madhe” nëse do të ketë drejtësi dhe gjykim të drejtë.

“Prandaj ishte dhe marshi i djeshëm që u bashkuam me qindra mijëra qytetarë, sepse po vërehet se brenda kësaj gjykate nuk ka elemente të drejtësisë, fatkeqësisht, dhe i gjithë angazhimi ynë është që të ketë drejtësi”, ka thënë kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, në edicionin special të RTV Dukagjinit.

Kryetari i Skenderajt ka shtuar tutje se që nga fillimi i gjykimit, duke përfshirë mbajtjen në paraburgim dhe shkeljen e të drejtave të të akuzuarve është jashtë normave dhe parimeve ndërkombëtare.