51-vjeçarja Martha Sepúlveda Campo nuk vuan nga ndonjë sëmundje vdekjeprurëse, por ka vendosur t’i japë fund jetës përmes eutanazisë. Të dielën, do të jetë edhe dita e saj e fundit në këtë botë, ndërsa orët e fundit që i kanë mbetur po i kalon duke pirë një birrë me të birin, ndërsa tregon historinë e saj.
“Nga ana shpirtërore jam totalisht e qetë”, thotë Sepúlveda në një intervistë për televizionin kolumbian Noticias Caracol. E vetëquajtur besimtare katolike e devotshme, ajo do të jetë pacienti i parë në Kolumbi që do të vdesë përmes eutanazisë, një procedurë që konsiderohet si e drejtë e njeriut për të pasur një vdekje dinjitoze.
“Zoti nuk dëshiron të më shohë të vuajë, dhe besoj se askush, nuk dëshiron të shohë fëmijët e tij të vuajnë”, tha Sepúlveda. Në fakt, ajo vuan nga një sëmundje që, edhe pse nuk është vdekjeprurëse, e ka përkeqësuar gjendjen fizike të saj. Skleroza amitrofike i ka dëmtuar sistemin nervor dhe ia ka bërë të pamundur lëvizjen. “Në këtë gjendje që jam, gjëja më e mirë që mund të më ndodhë është të pushoj”, tha ajo.
Kolumbia është vendi i parë në Amerikën e Jugut që e ka hequr eutanazinë nga veprat penale, që prej vitit 1997, dhe është një ndër vendet e pakta në botë ku procedura është e ligjshme. Por deri këtë vit, lejohej vetëm në rastin e sëmundjeve të pashërueshme. Më 22 korrik, Gjykata Kushtetuese miratoi ligjin që lejonte procedurën edhe për personat që “vuajnë nga dhembje të mëdha fizike ose mendore, ose dëmtime trupore”.
Katër ditë më vonë, ajo kërkoi leje dhe më 6 gusht, kërkesa e saj u miratua. 11 motrat dhe vëllezërit e saj janë dakord, ndërsa i biri i qëndron pranë në ditët e fundit të jetës.
Deri tani, në historinë e vendit, 157 persona kanë vënë në zbatim këtë procedurë, duke i dhënë fund jetës në spital.