Lajme

Nuk u siguruan dokumentet e kërkuara nga mbrojtja, ndërpritet seanca ndaj ish-zyrtares së BE-së

09/12/2024 15:22
nga:G B

Në rastin ku ish zyrtarja e BE-së, Albina Nura po akuzohet për korrupsion, është ndërprerë seanca për shkak se përfaqësuesi i palës së dëmtuar (Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë) nuk i ka siguruar të gjitha dokumentet e kërkuara nga mbrojtja e të akuzuarës.

Propozimi për ndërprerjen e seancës u bë nga mbrojtësi i të akuzuarës Nura, avokati Kujtim Kërveshi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e mbajtur me 10 korrik të këtij viti, mbrojtja kishte kërkuar që t’iu sigurohen edhe disa dokumente, për të cilat kishte pretenduar se po fshihen nga vetë Zyra e BE-së.

Lidhur me këtë kërkesë, në atë seancë gjykata e kishte obliguar përfaqësuesin e Zyrës së BE që t’i sigurojë të njëjtat.

Mirëpo, në seancën e sotme, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Leotrim Syla ka sjellë një USB, në të cilën tha se gjenden disa prej dokumenteve të kërkuara.

I njëjti tha se e ka pasur të vështirë që t’i sigurojë dokumentet e kërkuara për shkak të pushimit veror dhe disa arsyeve tjera.

Në anën tjetër, avokati Kërveshi tha se pa e pranuar dokumentacionin e kërkuar, nuk mundet të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit Fisnik Rexhepi, të propozuar nga pala e dëmtuar në seancën e mbajtur me 10 korrik, e i cili ishte i pranishëm në këtë seancë.

Në fund, gjykatësi Kurtaj obligoi përfaqësuesin e Zyrës së BE që provat t’i përcjellë tek mbrojtja e të akuzuarës Nuha.

Ndërkaq, paraprakisht në këtë seancë u konstatua ndryshimi i përbërjes së trupit gjykues, për shkak të avancimit të gjykatëses Valbona Musliu-Selimaj në Gjykatën e Apelit.

Tani trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Valon Kurtaj, përbëhet nga anëtarët Lutfi Shala dhe Kushtrim Shyti.

Po ashtu, të gjitha veprimet e marra deri më tani në këtë çështje, u konsideruan të lexuara.

Kurse, në këtë seancë u aprovua edhe propozimi i përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Syla, që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet edhe Michail Papagiannis.

Aktakuza ndaj Nurës ishte ngritur më 18 maj 2021, në të cilën thuhet se ajo i kishte shkaktuar dëm buxhetit të BE-së 500 mijë euro, me çka ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “konflikt i interesit”.