Sporti

Nuk u ftua nga Franco Foda, Meriton Korenica: Jam i zhgënjyer, i uroj fitore dhe kualifikim Kosovës

12 orë më parë
nga:Mergim Rreci

Pavarësisht se po kalon në një edicion fantastik me skuadrën e Cluj, Meriton Korenica nuk është ftuar nga Kosova A për dy ndeshjet ndaj Islandës.

Shumë gola, shumë asistime dhe shumë spektakël në fushë nga ana e tij në Rumani, duket se nuk e kanë bindur trajnerin Franco Foda dhe stafin e tij ta ftojnë atë.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Korenica është deklaruar i zhgënjyer me këtë vendim, sepse sipas tij ka formën e duhur dhe po punon vazhdimisht për këtë gjë.

Jam i zhgënjyer me vendimin. Sigurisht që jam në formë të mirë, po vazhdoj të punojë fuqishëm për një gjë të tillë, por këto janë vendime të trajnerit dhe atyre që bëjnë listën dhe duhet t’i pranoj. Do të vazhdoj të bëj maksimumin për të përmirësuar dhe rritur edhe më shumë formën”, tha fillimisht ai.

Pavarësisht mungesës së ftesës, ai tha se Kosovës i uron fat, fitore dhe kualifikim tutje.

“Kosovës i uroj shumë suksese në këto dy ndeshje dhe shpresoj në fitore dhe kualifikim“, ka deklaruar Korenica.

/GazetaBlic Sport/