Kandidati i AAK-së për deputet, Bekë Berisha, ka thënë se do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se do të bëjë që populli të përafrohet.
“Unë si gjithherë do të jem zëri i qytetarëve, do të ndikoj që të përafrohemi si popull sepse kemi shkuar larg me këtë përçarje që ka ndodhur, që dihet nga ka ardhur, na duhet të ulemi me këmbë në tokë dhe ta kuptojmë të gjithë që ne na duhen institucione dhe duhet ta vazhdojmë punën. Kësaj radhe numri im është 4, numri i AAK-së 129, dhe po e bëj fushatën si çdoherë në komunikim me qytetarët, dorë me dorë e derë më derë me të gjithë, kësaj here jam edhe shef i shtabit i AAK-së dhe kam pasur komunikim edhe me degë, me kandidatë e qytetarë dhe kam një shpresë dhe një ndjenjë të mirë që këto zgjedhje do të dalin ashtu siç na takon dhe ashtu siç duhet dhe do t’ia japim hakun edhe institucioneve, edhe shtetit të Kosovës, në mënyrë që të përparojmë, të ecim dhe mos të ndalemi në këto kurthet që po krijohen dhe që kemi stagnuar për një kohë të gjatë”, ka thënë ai.
Berisha ka treguar arsyet se pse duhet votuar më 28 dhjetor.
“Se nuk rren, se jam gjithmonë afër qytetarit, që e kemi një disponim për t’i afruar njerëzit dhe për të ecur përpara dhe që do të jem origjinal dhe i hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Berisha ka folur për sigurinë dhe atë se çfarë do të bëjë për këtë sektor.
“Ne në programin tonë i kemi përfshirë të gjitha por do të tregohet kujdes i shtuar për të gjithë, policët, gardianët, FSK, i njoh mirë ato probleme, do ta bëjmë një Kosovë të fortë, një Kosovë ashtu siç e kanë ëndërruar ata që s’janë më”, ka potencuar kandidati për deputet.
Sipas tij, qeveria ka pasur qasje diskriminuese ndaj policëve e ushtarëve të FSK-së.
“Ka qenë një qasje diskriminuese. Ne në programin tonë e kemi parashikuar numrat, pagat, paga mesatare, edhe në sektorin privat edhe publik, mirëpo edhe do të ketë kujdes të veçantë për njerëzit në uniformë, të atyre që janë krejt kohën jashtë, që janë siguria jonë, dinjiteti, integriteti, krenaria jonë, për të gjitha problemet do të gjejmë zgjidhje por në këtë sektor do të bëjmë shumë dhe besoj se do t’i vëmë në binarë gjërat, të kthejmë normalitetin e pastaj do të vazhdojmë edhe me shtesat”, ka thënë Bekë Berisha./Gazeta Blic/


